Nëntë studentë kosovarë kanë mbetur të ngujuar në Bremen të Gjermanisë. Atyre iu duhet që të kthehen në Kosovë deri në përfundim të javës së parë të qershorit, meqenëse vetëm deri atëherë e kanë të siguruar akomodimin dhe ushqimin. Me paratë që kanë thonë se nuk mund të përballojnë jetesën jashtë kampusit. Ata kanë bërë disa kërkesa për kthim në Kosovë përmes Ambasadës së Kosovës në Gjermani, por thonë se asnjëherë nuk kanë pranuar përgjigje.
Toska Ymerhalili, e cila është një prej studenteve që ka mbetur në Gjermani, i ka thënë Gazetës Express se që nga 27 prilli kanë bërë kërkesa për kthim në vend, por se asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.
“Kërkesën e parë e kemi bërë në datën 27.04.2020 përmes email’it, ndërsa të fundit e kemi bërë në datën 06.05.2020, poashtu përmes email’it. Ndërsa kemi provuar të komunikojmë direkt përmes telefonit, por nuk është përgjigjur askush”, tregon ajo.
Sipas Ymerhalilajt, Ambasada është informuar se kushtet financiare të tyre si studentë nuk janë të të mjaftueshme për jetesë në Gjermani jashtë kampusit.
Ajo tregon se e kanë të siguruar akomodimin dhe ushqimin në kampus vetëm deri në javën e parë të qershorit, dhe se pastaj janë të detyruar të largohen nga kampusi.
“Për shkak të përfundimit të vitit akademik dhe rrjedhimisht akomodimit në kampusin universitar, kthimi ynë në Kosovë në fillim të muajit qershor është i domosdoshëm. Ne akomodimin dhe ushqimin në kampus e kemi të siguruar deri në javën e parë të qershorit. Pas javës së parë të qershorit, jemi të detyruar të largohemi nga kampusi i universitetit dhe kushtet tona financiare nuk janë të mjaftueshme për të jetuar jashtë kampusit”, ka deklaruar Ymerhalilaj.
Mungesa e një përgjigje nga institucionet përkatëse thotë se ka shkaktuar pasiguri e ngarkesë të të gjithë ata.
“Mungesa e përgjigjeve në forme jo vetëm të shkruar por edhe në shumë tentativave të deshtuara për lidhje telefonike ka shkaktuar vazhdimisht pasiguri, konfuzitet dhe ngarkesë e pakënaqësi te rënde psikologjike”, tregon ajo.
Gazeta ka dërguar pyetje në Ambasadën e Kosovës në Gjermani dhe Ministrinë e Infrastrukturës që të marrë informacione nëse këto dy institucione janë të njoftuara për kushtet në të cilat ndodhen këta studentë dhe nëse do të organizohet një fluturim për kthimin e tyre në Kosovë, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Ndryshe, dje Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca tha se kanë arritur që t’i kthejnë rreth 1 mijë e 500 persona.
“Deri tash kemi arritur që t’i kthejmë më shumë se gjysmën e atyre që kanë kërkuar të kthehen. Natyrisht se kemi kërkuar që të kthehen më shumë se që kemi mundur t’i kthejmë, mirëpo duhet ta keni parasysh që numri i të kthyerve është vendosur në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKSHP’në. Për shkak të kapaciteteve tona, duke filluar nga karantinimi e deri te ekipet shëndetësore, që kujdesen për njerëzit që karantinohen, këto kanë qenë kapacitetet tona”, tha Konjufca.
Ai premtoi se deri në fillim të qershorit do t’i kthejnë edhe 740 persona.
“Deri në fund të majit e në fillim të qershorit ne zotohemi që do t’i kthejmë edhe 740 persona, të cilët kanë mbetur jashtë vendit për arsye të ndryshme”, deklaroi ai.