Sipas ligjit për rimëkëmbje ekonomike që u miratua javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës, qytetarët e Kosovës që kanë mjete të kursyera në TRUST do të mund të aplikojnë t’i tërheqin 10 për qind të mjeteve të kursyera.
Sipas shënimeve zyrtare të Trust, 92 përqind e qytetarëve kanë nën 10 mijë euro në Trust të cilët sipas propozimeve të PDK do të rimbursohen nga shteti.
Ndërsa 8 përqind e qytetarëve që i kanë mbi 10 mijë euro në Trust do të mund ti tërheqin 10 përqind të mjeteve të tyre por që ato nuk do të rimbursohen nga buxheti i shtetit.
Ligji për rimëkëmbje ekonomike është dekretuar nga Zyra e Presidencës. Menjëherë pas kësaj, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka sqaruar mënyrën e aplikimit për tërheqjen e 10-përqindëhit.
“Aplikimi për tërheqje të 10% do të bëhet vetëm ONLINE dhe përmes një faqeje të veçantë interneti. Pra, nuk keni nevojë që tani të krijoni qasje në eTrusti. Adresa e faqes së veçantë të internetit për aplikim të tërheqjes 10% dhe detajet tjera do të publikohen ditëve në vijim”, thuhet në njoftim. Sipas Trustit, janë katër muaj në dispozicion për aplikim. “Për aplikim janë në dispozicion 4 muaj. Prandaj, mos u brengosni nëse nuk mund të aplikoni që në ditët e para pas dekretimit”, përfundon njoftimi.