Një grua 95-vjeçare e cila kishte punuar për komandantin e një kampi përqendrimi nazist është akuzuar në veri të Gjermanisë për ndihmë dhe mbështetje në vrasje masive.
Gruaja, e njohur në media si Irmgard F, jeton në një shtëpi kujdesi në Pinneberg dhe akuzohet për “më shumë se 10,000 raste”.
Ajo ka qenë sekretare e një nënkoloneli në kampin Stutthof, një kamp brutal ku rreth 65,000 të burgosur kishin vdekur gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Është ende e paqartë nëse ajo do të dalë para gjykatës, shkruan BBC. Roli i saj ende po studiohet.
Stutthof ishte ngritur në vitin 1939 dhe rojet filluan të përdorin dhomat e gazit atje në qershor të 1944. Trupat sovjetike e çliruan atë në maj të 1945 ndërsa lufta ishte duke përfunduar.
Rreth 100,000 të burgosur u mbajtën në Stutthof në kushte mizore, shumë prej tyre vdiqën nga sëmundja dhe uria, disa nga gazi dhe të tjerëve u dhanë injeksione vdekjeprurëse.
Shumë prej viktimave ishin hebrenj, aty kishte edhe polak që nuk ishin hebrenj dhe ushtarë sovjetikë që i kishin zënë.
Në kohën e krimeve, gruaja ishte 21-vjeç. Ajo kishte thënë se asnjëherë nuk e kishte ditur se njerëz po mbaheshin në dhoma me gaz në atë kamp.
Ky është rast i rrallë, pasi shumë pak gra janë gjykuar për krime në kampe naziste dhe shumica e rasteve janë fokusuar tek rojet e kampeve, jo sekretarët.