Mbrëmë janë konfirmuar pesë raste të reja me COVID-19 në Ferizaj. Me këto raste, numri i të infektuarve në këtë komunë shkon në 98. Detaje rreth këtyre rasteve ka dhënë Kryetari Agim Aliu.
Aliu ka treguar se të gjitha rastet që u konfirmuan mbrëmë janë raste kontakti. Katër prej rasteve thotë se janë nga Mirashi, derisa personi tjetër që ka dal pozitiv ka lidhje me një fshat të Kamenicës.
“Pesë rastet që u konfirmuan mbrëmë janë të gjitha raste kontakti. Katër janë prej fshatit Mirash që deri tash atje janë 17 raste, derisa rasti tjetër ka lidhje me një fshat të Kamenicës. Deri tash, në Ferizaj janë 98 raste pozitive për COVID-19. Testimet do të vazhdojnë edhe sot, por nuk e di ende numrin e mostrave që do të testohen”, ka thënë Aliu
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) mbrëmë ka njoftuar se janë testuar 263 mostra të marra nga Klinika Infektive, nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, si dhe nga karantina në Qendrën studentore.
Nga testimi i këtyre mostrave, 34 kanë rezultuar pozitive. Rastet pozitive janë raste kontakti nga Gjilani, Prizreni, Ferizaj, Rahoveci, Dragashi, Prishtina, Skenderaj, Malisheva dhe Zveçani.
“Sot më 24 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 263 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e katër (34) raste”, thuhet në njoftim.
IKSHP’ja ka njoftuar se janë shëruar edhe tre pacientë, të cilët e çojnë në 162 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.
Me shifrat e fundit, numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë shkon në 703. Deri tani, nëntëmbëdhjetë pacientë kanë humbur jetën.
Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, javën e kaluar në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.
Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.