Ish-kryediplomati nga LDK-ja, Skender Hyseni, i ka quajtur “tërheqje esetike” nga sovraniteti i veriut, mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat e veriut të Kosovës të dielën e kaluar.
Hyseni në Prime Time në Kanal10 tha se kryeministri Albin Kurti po fshihet përmes “manovrave politike” që sipas tij po bëhet pasi kryeministri së shpejti do ta zbatojë marrëvshjen e Brukselit për Asociacionit.
“Kjo ka qenë një tërheqje shumë estetike nga sovraniteti i institucioneve qëndrore të Kosovës në atë pjesë të vendit. Gjithë kjo bëhet me qëllim të fitimit të një arsyetimi banal, për zbatimin e Asociacionit të cilin Kurti do ta zbatojë shpejtë. S’ka nevojë Kurti të fshihet prapa manovrave politike për ta çuar përpara marrëveshjen me Serbinë.”, tha Hyseni.
Hyseni u shpreh i bindur se gjatë ditëve në vazhdim, do të kuptohen më mirë “manovrat politike” të kryeministrit Kurti, pasi ai të nis zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Kurti është në kërkim të arsyetimit. Kurti s’bën asgjë tjetër vetëm po përpiqet të shpëtoj me fytyrë, e dëmet po i pëson Kosova dhe sovraniteti i vendit në të gjithë territorin e tij. Do ta tregojnë ditët në vijim që e gjithë kjo ka qenë një manovër për të krijuar mjegull për atë që do të vijë. SHBA-ja dhe bashkësia ndërkombëtare e di saktësisht, ata nuk mund të thonë që Kosova s’mund të organizoj zgjedhje në veri të vendit”, ka theksuar ish-ministri i Jashtëm.