IKD: Probleme të njëjta si në gjykatat e tjera, si në seancat në serbisht në Graçanicë

Prishtinë | 04 Qer 2025 | 10:41 | Nga Ekonomia Online

Problemet e njëjta janë edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Graçanicë, përkatësisht në seancat në gjuhën serbe, sikurse në gjykatat e tjera në territorin e Kosovës, tha drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, raporton Ekonomia Online.

Ai këtë vlerësim e paraqiti në tryezën e IKD-së, ku u prezantua raporti “Efikasiteti gjyqësor në praktikë dhe të drejtat gjuhësore në sistemin gjyqësor” (Analizë e rasteve të monitoruara në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Departamentin e Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë).

Ai fillimisht foli për mënyrën e monitorimit të seancave gjyqësore nga IKD-ja dhe raportimit për ato.

“Siç e dini, Instituti i Kosovës për Drejtësi prej viti 2013 në mënyrë sistematike monitoron seancat gjyqësore në tërë territorin e Kosovës përfshirë edhe gjykatën e shkallës së dytë dhe Gjykatën Supreme. Po flasim për seanca gjyqësore në penale, civile, administrative dhe komerciale. Për çdo seancë të monitoruar, publikohet raport me shkrim në IKD dhe Betimi për Drejtësi ku informohen qytetarët për rrjedhjen e seancave gjyqësore. Po ashtu, ka qenë edhe mekanizëm i dobishëm edhe për kryetarët e gjykatave, kryeprokurorët, por edhe për Këshillin Prokurorial dhe Gjyqësor të Kosovës për me i pa se si realizohen në praktikë këto seanca”, tha Miftaraj.

Në fillimet e monitorimit, Miftaraj tha se kanë evidentuar që shumë prej seancave ose përkatësisht mbi 50 për qind janë shtyrë për shkaqe të ndryshme, duke përfshirë edhe mungesën e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve apo palëve. Mirëpo, sipas tij, tani kjo shifër ka rënë në 12 apo 13 për qind.

Ai foli edhe për monitorimin e seancave në gjuhën serbe, duke thënë se pilot-projekti i tillë ka qenë shumë i rëndësishëm në aspektin krahasimor.

“…sepse kemi parë që i kemi të njëjtat probleme që i kemi në gjykatat me shumicë shqiptare në pjesë të tjera të territorit edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë-rastet në gjuhën serbe, por edhe në Graçanicë pothuajse janë të njëjtat probleme me të cilat ballafaqohen”, tha ai.

Miftaraj tha se e rëndësishme ka qenë edhe publikimi i përkthimit të dokumenteve apo përdorimit të gjuhës në seanca gjyqësore, gjë për të cilën ai tha se kanë dhënë edhe rekomandime.

Përveç kësaj, Miftaraj tha se ky projekt ka qenë i rëndësishëm i cili është zbatuar nga kolegët e tij të komunitetit serb të cilët punojnë në IKD. Tha se në Kosovë mund të bashkëpunohet nëse duan që të arrihen rezultate dhe të kalohen të gjitha barrierat për të funksionuar si vend multietnik.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) të mërkurën organizoi tryezë në të cilën u prezantua raporti “Efikasiteti gjyqësor në praktikë dhe të drejtat gjuhësore në sistemin gjyqësor” (Analizë e rasteve të monitoruara në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Departamentin e Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë). Kjo ngjarje organizohet me mbështetjen e fondeve programatike të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Të ngjashme