Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas takimit me Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se janë duke u zhvilluar përpjekje intensive për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në përputhje me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, raporton Ekonomia Online.
“Porsa përfunduam takimin me Presidenten Osmani lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritën e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. Afatet po rrjedhin – në javën e fundit të korrikut duhet ta kemi konstituimin e legjislaturës së 9-të,” tha Kurti para mediave.
Ai theksoi se janë të përkushtuar për të realizuar këtë proces përmes bashkëpunimit dhe konsultimeve me partitë e tjera.
“Do të bëjmë çmos që, në frymën e bashkëpunimit, me konsultime të dendura, konstruktive dhe gjithashtu me idenë e konsensusit apo kompromisit, ta realizojmë këtë gjë – që ta kalojmë këtë fazë dhe të formojmë qeverinë e re që i përgjigjet Kuvendit të ri,” theksoi Kurti.
Ai njoftoi se gjatë takimit është diskutuar gjerë e gjatë për të gjitha elementet përbërëse të procesit dhe theksoi rëndësinë e vijimit të takimeve me përfaqësuesit e tjerë politikë.
“Diskutuam gjerë e gjatë, i përmendëm të gjitha elementet përbërëse, dhe tash presidentja do të ketë takime edhe me përfaqësuesit e partive të tjera politike. Në fund do të shohim nëse kemi bërë përparim, sa kemi bërë përparim dhe sa është i mjaftueshëm një përparim i tillë. Unë besoj që duhet t’i japim shans edhe takimeve të tjera dhe në fund të shohim cili është progresi për të cilin jemi të interesuar të gjithë,” tha Kurti.
