Abuzimi i babait me vajzën në Shqipëri, Avokati i Popullit thotë se ka nisur hetim administrativ

Prishtinë | 02 Kor 2025 | 17:47 | Nga Ekonomia Online

Avokatit i Popullit ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të abuzimit seksual në Fier, dyshohet se babai ka abuzuar seksualisht me vajzën e tij të mitur të moshës 12-vjeçare.

Në një deklaratë zyrtare, institucioni shpreh shqetësimin e thellë për rastin, duke theksuar se kjo ngjarje kërkon jo vetëm ndëshkim të autorit, por edhe një reflektim institucional e shoqëror për forcimin e mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve në situata të rënda sociale apo familjare.

Avokati i Popullit bën me dije se ka nisur një hetim administrativ gjithëpërfshirës, me qëllim evidentimin e çdo veprimi apo mosveprimi të institucioneve përgjegjëse që mund të kenë ndikuar në zhvillimin apo mosparandalimin e kësaj ngjarjeje.

“Avokati i Popullit ka marrë me iniciativë shqyrtimin e këtij rasti dhe ka nisur një hetim administrativ gjithëpërfshirës, i mbështetur në parimet e legjislacionit shqiptar dhe Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, me qëllim evidentimin e veprimeve apo mosveprimeve nga institucionet përgjegjëse që mund të kenë ndikuar në zhvillimin ose mosparandalimin e kësaj ngjarjeje.

“Ky proces do të synojë të analizojë funksionimin e zinxhirit institucional të mbrojtjes së fëmijëve dhe të adresojë çdo mangësi sistemike. Avokati i Popullit apelon me forcë për ruajtjen e privatësisë dhe dinjitetit të fëmijës viktimë”

“Ekspozimi masiv i detajeve të ngjarjes, qoftë në media apo rrjete sociale, është një dëm i dyfishtë për të miturën dhe cenon rëndë të drejtën e saj për mbrojtje nga traumat e mëtejshme”.

“Institucioni i Avokatit të Popullit do të ndjekë me vëmendje e seriozitet ecurinë e hetimeve dhe masat që do të ndërmerren për mbrojtjen e mëtejshme të të miturës, duke bashkëpunuar me autoritetet përkatëse në çdo hap të këtij procesi”, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit.

Të ngjashme