Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha të shtunën se po i jepte udhëzime ushtrisë amerikane që të vendoset në Portland të Oregonit dhe të mbrojë objektet federale të imigracionit kundër “terroristëve vendas”, duke thënë se po i autorizonte ata të përdornin “forcë të plotë, nëse është e nevojshme”.
Duke urdhëruar goditjen e fundit ndaj një qyteti të udhëhequr nga demokratët, Trump tha në një postim në mediat sociale se po i jepte udhëzime Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, “të siguronte të gjitha trupat e nevojshme për të mbrojtur Portlandin e shkatërruar nga lufta dhe çdo objekt të ICE-së nën rrethim nga sulmet e Antifas dhe terroristëve të tjerë vendas”.
Kryebashkiaku i Portlandit, Keith Wilson, duke iu përgjigjur urdhrit të Trump, tha: “Numri i trupave të nevojshme është zero, në Portland dhe në çdo qytet tjetër amerikan. Presidenti nuk do të gjejë paligjshmëri ose dhunë këtu, përveç nëse planifikon ta kryejë atë.”
Në një konferencë për shtyp të premten, Wilson dhe udhëheqës të tjerë vendorë kërkuan qetësi përballë një fluksi të dukshëm të oficerëve federalë që kryebashkiaku tha se nuk erdhi me kërkesë të qytetit.
“Kjo mund të jetë një shfaqje force, por kjo është e gjitha. Është thjesht një shfaqje e madhe”, tha ai.
Senatori amerikan Ron Wyden, një demokrat nga Oregoni, shkroi në X se Trump “mund të jetë duke përsëritur manualin e vitit 2020 dhe duke u futur në Portland me qëllimin për të provokuar konflikt dhe dhunë”.
Në vitin 2020, protestat shpërthyen në qendër të Portlandit, enklavës së Paqësorit Veriperëndimor me reputacion si një qytet liberal, pas vrasjes së George Floyd në Minneapolis.
Protestat vazhduan për muaj të tërë dhe disa udhëheqës qytetarë në atë kohë thanë se ato u nxitën dhe jo u shuan nga vendosja e trupave federale nga Trump.
Guvernatorja e Oregonit, Tina Kotek, një demokrate, tha se zyra e saj po i kërkonte Shtëpisë së Bardhë më shumë informacion.
“Nuk ka kërcënim për sigurinë kombëtare në Portland. Komunitetet tona janë të sigurta dhe të qeta”, tha Kotek në X, shkruan Reuters.