PDK kërkon hetim për incizimet që implikojnë kryetarin në ikje, Ramiz Lladrovci

Prishtinë | 02 Tet 2025 | 16:31 | Nga Ekonomia Online

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Drenas ka reaguar ashpër pas publikimit të disa incizimeve që implikojnë kryetarin në ikje të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në afera të dyshimta për keqpërdorim të pasurisë publike.

Sipas komunikatës zyrtare për media, e publikuar sot, PDK shpreh “shqetësimin më të thellë lidhur me skandalet e fundit”, ku theksohet se bëhet fjalë për pazare që “nuk janë për centa, por për miliona euro”.

Në një nga pjesët të incizimeve, dëgjohet vetë Lladrovci teksa sipas PDK-së, “jo vetëm që nuk e pengon, por e inkurajon mbi-ndërtimin e paligjshëm mbi 4 mijë metra katrorë pronë publike”. Në këtë kontekst, PDK thotë se është “shumë skandaloze ta arsyetojë këtë shkelje flagrante të ligjit si rritje të vlerës për ‘interes publik’”, duke theksuar se “e vërteta është krejt e kundërta: vlera po i rritet vetëm xhepave të kryetarit të komunës dhe profiterëve të rrethit të tij të ngushtë”.

Në komunikatë thuhet se një zëdhënës i degës lokale të PDK-së, i cili foli për media në kushte anonimiteti, ka thënë:

“Prona publike nuk është valutë pazari. Nuk mund të përdoret për të mbushur xhepa, ndërkohë që qytetarët mbesin pa shërbime elementare.”

PDK në këtë reagim i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të veprojë menjëherë.

“Çdo ditë që kalon pa hetim është rrezik për qytetarët dhe një fyerje për drejtësinë”, thuhet në njoftim.

Sipas kësaj partie, incizimet dhe raportet e bëra publike nuk lënë vend për dyshime se “është ndërtuar një model i tërë i plaçkitjes së pasurisë publike – nga kontratat e deri te tokat komunale, nga mbi-ndërtimi te milionat”.

Në fund të deklaratës, PDK u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e manipulimeve.

“Ky nuk është vetëm një problem politik, por një çështje themelore e mbrojtjes së pronës publike, të qytetarëve dhe të ardhmes së Drenasit”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme