Nëse shteti i Kosovës, përmes AKI-së, dëshiron të zbulojë edhe një spiun serb, le të fokusohet te urdhërdhënësi i “humbjes” së rrugës së ushtrisë.
Metodat e inskenimeve të incidenteve për të justifikuar aksionet pushtuese janë të njohura: më e reja është ajo e komunitetit rus në Ukrainë, ndërsa më herët, në fillim të Luftës së Dytë Botërore, ajo e Hitlerit në Çekosllovaki.
Në raport me shqiptarët, serbët kanë traditë që të bëjnë inskenime të kësaj natyre.
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Serbia ende nuk kishte hequr dorë nga synimi për ta pushtuar Shqipërinë. Kështu, për të justifikuar një ndërhyrje ushtarake para bashkësisë ndërkombëtare dhe për ta vënë atë para aktit të kryer, në Shqipërinë veriore ajo organizoi grupe të armatosura, të cilat, nga ana e kufirit shqiptar, do të sulmonin Jugosllavinë e saposhpallur.
Kjo u pasqyrua gjerësisht nga shtypi liberal i kohës. Gazeta Radničke novine, në numrin e datës 29.06.1920, shkruante:
“Specialistët e inskenimeve të sulmeve të shqiptarëve, Stojan Protiq – si inspirator dhe intrigant i kësaj politike – dhe Jovan Qirkoviq… kanë rekrutuar ‘miqtë e popullit serb’ në Shqipëri, të cilët kishin për detyrë të grumbullonin grupe banditësh. Këta banditë janë të përgatitur dhe të armatosur me paratë e shtetit tonë, të marra nga diplomacia jonë. Përveç kësaj mbështetjeje materiale, atyre u janë dhënë edhe instruksione për aktivitetet e tyre. Njëra nga detyrat kryesore të tyre ka qenë që, kohë pas kohe, të organizonin sulme kundër kufirit tonë, me qëllim të justifikimit të ‘mbrojtjes së domosdoshme’, dhe përmes këtyre sulmeve të mundësohej okupimi i rajoneve të veçanta të pjesës veriore të Shqipërisë.”
Një përshkrim më autentik i këtyre aksioneve jepet në librin e Degisha Vasiqit, personazh aktiv i këtyre ngjarjeve në terren, i cili përmend emra konkretë të personave që ndihmonin Serbinë për ta realizuar këtë plan.
Natyrisht, aksioni ishte i mbështjellë me “patriotizmin” se po “bashkonim Kosovën me Shqipërinë”.
Ps. Libri i Dragisha Vasiqit “Dy muaj në Sibirin jugosllav”, është përkthyer nga Ragip Kciku, publikisht kerkoj dikend që ta sponsorizoi botimin, është një vepër me rëndësi.