Në adresë të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ende nuk ka arritur një ftesë nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për konsultime, pasi të dielën dështoi që të formojë qeverinë e re, raporton Ekonomia Online.
“Ne nuk kemi marrë ende ftesë nga Presidentja. Natyrisht që do të konsultohemi me të. E dimë që për herën e dytë është në diskrecionin e saj çështja e mandatarit për formimin e qeverisë. Me atë që dëgjuam dje, të gjithë po përgatiten jo vetëm për balotazhin, por edhe për zgjedhje të reja. Kur nuk arritëm të bëjmë 61 deputetë për një qeveri, vështirë se do t’i bëjmë 80 deputetë në pranverën e vitit të ardhshëm. Kemi vetëm katër muaj për afatin e Presidentes. Është për të ardhur keq që, përveç balotazhit, të kemi dy herë zgjedhje. Janë 10 ditë afat për Presidenten, të cilat, në bazë të shenjave, janë veçse ato të zgjedhjeve të reja.”