Goditet rrjeti i falsifikimit të pronave shtetërore, sekuestrohen prova dhe armë

Prishtinë | 02 Nën 2025 | 15:06 | Nga Ekonomia Online

Njësia për Hetimin e Falsifikimit të Dokumenteve e Policisë së Kosovës, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka zbuluar një rast të madh të falsifikimit të dokumenteve që lidhen me pronat nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Sipas Policisë, i dyshuari në bashkëkryerje me persona të tjerë ka falsifikuar dokumente për bartje dhe legalizim të pronave shtetërore, të cilat më pas janë shitur në mënyrë të kundërligjshme duke përfituar shuma milionëshe.

Gjatë bastisjeve të realizuara më 1 nëntor në disa lokacione janë sekuestruar dokumente të ndryshme, pajisje për falsifikim, një armë zjarri me fishekë, si dhe sende me vlerë. I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për bashkëpunëtorët e mundshëm po vazhdojnë.

Policia dhe Prokuroria kanë theksuar përkushtimin e tyre për luftimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, si dhe mbrojtjen e pronës publike në Republikën e Kosovës.

Të ngjashme