“Gratë në vendin e punës përballen me pasiguri“, kërkohet veprim institucional dhe mbështetje e qëndrueshme

Prishtinë | 05 Nën 2025 | 10:55 | Nga Drita Dërmaku

“Siguria e grave në vendin e punës”, është tema e diskutimit që u mbajt nën organizimin e Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, e nga ku u kërkua veprim institucional dhe mbështetje të qëndrueshme. Aty u theksua edhe se siguria në vendin e punës mbetet sfidë, raporton Ekonomia Online.

Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Edi Gusia, theksoi faktorët që ndikojnë në pjesëmarrjen e ulët të grave në tregun e punës.

“Është e vërtetuar se pjesëmarrja e grave në tregun e punës sfidohet nga faktorë të shumtë, dhe nuk do t’ju them asgjë të re: Mungesa e institucioneve për përkujdesje për fëmijët; Qëndrimi ditor i pazgjidhur i fëmijëve që shkojnë në shkollë; mungesa e transportit publik; punësimi joformal; përkujdesja për të moshuarit; faktorë të tjerë që burojnë nga norma kulturore, të cilat vazhdojnë të pengojnë gratë dhe i mbajnë ato në një rreth vicioz detyrimesh dhe angazhimi të përhershëm, duke pamundësuar pjesëmarrjen e plotë dhe zhvillimin e plotë të kapaciteteve njerëzore dhe intelektuale të tyre. Duke tentuar përjetësisht të arrijnë balancimin e obligimeve të pafund, pjesëmarrja e grave në punësim mbetet e ulët dhe shpesh e kufizuar në sektorë me produktivitet dhe paga më të ulëta, me kushte jo të dinjitetshme pune, në mosrespektim të të drejtave të garantuara me legjislacion vendor dhe pa mbrojtje sociale. Studimet po ashtu tregojnë se gratë kanë më shumë gjasa të punojnë në sektorë joformalë, me paga më të ulëta, kushte jo të sigurta dhe mungesë të mbrojtjes ligjore. Është e domosdoshme që investimet të jenë të qëndrueshme, të sigurohet vazhdimësi për karrierë profesionale për përfitueset, të sigurohet ambient që garanton shëndet fizik dhe emocional të të punësuarave, dhe formalizim të sektorëve që punësojnë më shumë gra. Përdorimi i masave afirmative dhe promovimi i një kulture të re pune që vlerëson barazinë dhe fleksibilitetin është thelbësor që zhvillimi të jetë i qëndrueshëm. Prandaj, besojmë se çështje si: amandamentimi i Ligjit të Punës në harmoni me kërkesat e vlerësimit të ndikimit gjinor dhe reflektimi i konceptit të buxhetimit përgjegjës gjinor në legjislacion dhe politika publike, janë çështje prioritare për vendin tonë“, tha Gusia.

Ndërsa Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, u ndal te gjetjet e fundit të Raportit të Progresit për Kosovën, duke theksuar se siguria në vendin e punës mbetet sfidë.

 “Dje, Komisioni Evropian publikoi Raportin e Progresit për Kosovën. Ky raport na kujton se progresi në fushën e sigurisë në vendin e punës mbetet i kufizuar dhe se çështjet gjinore ende duhet të adresohen në mënyrë më të strukturuar për të arritur progres real. Prandaj, investimet në barazi gjinore nuk duhet të jenë vetëm përgjigje ndaj pritjeve ndërkombëtare, por iniciativë e vetë institucioneve tona. Në Kosovë, pavarësisht nga përpjekjet institucionale dhe ligjore për të promovuar punësimin e grave dhe për të garantuar kushte të sigurta pune, të dhënat tregojnë se gratë vazhdojnë të përballen me sfida të shumta. Diskriminimi me bazë gjinore, pasiguria në marrëdhënien e punës dhe ngarkesa e dyfishtë mes punës së paguar dhe përkujdesjes familjare mbeten pengesa të mëdha për barazi të vërtetë. Ngarkesa e dyfishtë që përjetojnë gratë në Kosovë nuk është thjesht një çështje sociale, por pasqyrim i një strukture më të gjerë ekonomike dhe patriarkale që përfiton ekonomikisht nga puna e tyre. Shëndeti mendor i grave punëtore, shpesh i lënë jashtë politikave institucionale dhe praktikave të ndërmarrjeve private, mbetet një dimension i neglizhuar. Mungesa e mbështetjes sistemike dhe trajtimi i kufizuar e bëjnë këtë çështje të nënvlerësuar, ndonëse thelbësore për sigurinë dhe mirëqenien në vendin e punës“, tha Demolli.

Ndërkaq, Alessandro Bianciardi, Zëvendëskryetar i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, theksoi mbështetjen e BE-së për fuqizimin e grave dhe përmirësimin e sigurisë në vendin e punës.

“Jemi këtu për shkak se siguria në vendin e punës nuk është në nivelin e duhur. Janë vlera kryesore se si Bashkimi Evropian e ka përkrahur këtë iniciativë, sepse çdo person duhet të ndihet i sigurt. Në Kosovë, përmes barazisë gjinore në punë, nënkuptohet adresimi i barrierave që i mbajnë gratë të kufizuara. Përderisa ekziston një kornizë e limituar, atëherë mekanizmat nuk janë të besueshëm. Fuqizimi i mekanizmave institucionalë procedon çështjet e punës dhe pikat kryesore për të zbatuar të drejtat e njeriut. Punonjësit duhet të zbatojnë politikat ndërkombëtare, ndërsa shoqëria civile mbetet partner kyç në mbështetjen e viktimave. Ky takim le të na fuqizojë për të siguruar që siguria dhe potenciali i grave të jenë të përkrahura në botën e punës. Është një moment për të kuptuar se sa larg kemi arritur dhe për të parë përpara. Zëri i grave duhet të dëgjohet dhe ne do t’u qëndrojmë prapa me dyer të hapura për të udhëhequr të ardhmen e Kosovës“, tha Bianciardi.

Të ngjashme