Në mesin e disa vendimeve të Qeverisë, ishte edhe ajo për shpronësimin e pronave të paluajtshme ish-shoqërore të KBI “Ereniku” për ndërtimin e Zonës Industriale të Mbrojtjes në Jahoc të Gjakovës dhe kështu hapet edhe rruga për ndërtimin e Fabrikës së Municioneve, të parës së llojit të saj në Republikën e pavarur, që do t’i shërbejë ushtrisë, raporton Ekonomia Online.
Ndërtimi i kësaj fabrike ku planifikohet që në fund të vitit të ardhshëm edhe të prodhohen plumbat e parë.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci teksa përmendi investimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës, se zona që do të përdoret për industrinë e mbrojtjes është prej 100 hektarësh.
“Do të jetë një hapësirë prej më shumë se 100 hektarësh që do të shfrytëzohen nga fabrika jonë e municionit por që do të ketë një mundësi që si Qeveri të mbështesim prodhues të ndryshëm ushtarakë nga vendet e ndryshme por edhe prodhues vendosur që planifikojnë të prodhojnë. Është në interes të sektorit publik dhe asaj privat”, tha ai.
Ai foli për marrëveshjen që Kosova pati bërë me kompaninë turke për prodhimin e makinerisë prodhuese.
“Sa i përket fabrikës së municioneve dihet që më 16 dhjetor të vitit të kaluar është realizuar një kontratë me kompaninë shtetërore nga Turqia MKE për prodhimin e makinerisë prodhuese, laboratorë dhe pajisje tjera që do të jenë në dispozicion të prodhimeve të municioneve 7.62 dhe 5.56. kurse gjatë muajit tetor të këtij viti bashkë me Muratin kemi punuar e diskutuar edhe punuar në finalizimin ehe në pjesën e dytë të kontratës që ka të bëjë ndërtimin e fabrikës. Pra ndërtimit të objekteve dhe kompleksit sepse është kompleks i prodhimit, pikërisht në zonën industriale të mbrojtjes bazuar në atë kontratë presim që deri në fund të vitit të ardhshëm kjo fabrikë të funksionalizohet dhe mund të them që në fund të vitit të ardhshëm do të kemi plumbat e parë që do të prodhohen në Kosovë nga një fabrikë shtetërore e Republikës së Kosovës për nevojat e ushtrisë, policës dhe nevojat e eksportit”, tha ai në konferencën për media pas mbledhjes së Qevrisë në detyrë.
Kurti në adresimin e tij tha se “Gjatë këtij mandati qeverisës, ne e kemi katërfishuar buxhetin e mbrojtjes dhe e kemi dyfishuar numrin e ushtarëve. Ushtrinë e kemi pajisur me sisteme të reja dhe më moderne të armatimit dhe të municioneve nga shtete anëtare të NATO-s; mbi 430 milionë euro blerje të armatimit janë shënuar në këtë mandatin e parë. Në mandatin tonë të radhës do të investojmë mbi 1 miliard euro në mbrojtje”.
