Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka reaguar pas pyetjes së mediave se pse, sipas opozitës, LVV po “insiston” të votohet në qendra alternative të diasporës, ndërsa vetë partia kishte votuar më herët që votimi të bëhet vetëm në ambasada dhe konsullata, raporton Ekonomia Online.
Kurteshi tha se është e pavërtetë që ligjin e ka votuar vetëm LVV, duke theksuar se ai është miratuar nga të gjitha partitë në vitin 2022.
“Dy gjëra mos i përzieri: nuk e ka votu LVV, por e kanë votu të gjitha partitë ligjin në vitin 2022 dhe ka pas pajtueshmëri për ndryshimin e ligjit”, deklaroi ai.
Ai shtoi se ligji nuk e ndalon votimin jashtë hapësirave diplomatike, por interpretimi aktual juridik ka dalë në përfundim se votimi mund të zhvillohet vetëm nëpër ambasada dhe konsullata.
“Ligji nuk e thotë në atë mënyrë, por ligji interpretohet dhe në këtë moment është interpretuar se nuk mund të votohet në qendra të përzgjedhura nga MPJ-ja, por vetëm në hapësira fizike të përfaqësive diplomatike”, u shpreh Kurteshi.
Sipas tij, LVV vazhdimisht ka kërkuar që t’u mundësohet mërgimtarëve votimi fizik, sepse është forma më e sigurt dhe më e kontrolluar.
“LVV ka kërku dhe kërkon përsëri që të votohet dhe t’u mundësohet mërgimtarëve forma e votimit fizik, sepse është formë e sigurt; fletvotimet arrijnë, procesi kontrollohet nga partitë politike dhe kthimi i tyre është i garantuar”, tha ai, duke shtuar se kjo është më e lehtë sidomos aty ku ka qendra të tilla.
Kurteshi theksoi se përvoja e fundit zgjedhore dëshmon se votimi fizik funksionon pa probleme.
“Në zgjedhjet e fundit të shkurtit 2025, rreth 20 mijë votues, 15 mijë prej tyre kanë aplikuar dhe kanë votu në ambasada. A e dini se nuk kemi asnjë vërejtje lidhur me votimin fizik atje? Asnjë të vetme. Gjithçka ka shkuar në rregull”, theksoi ai.
