Nesër do të nis funksionimi i transportit publik në Prishtinë.
Kjo erdhi pas një takimi të mbajtur nga përfaqësuesit e Trafikut Urban dhe ata të transportuesve privatë në Prishtinë.
“Të nderuar qytetarë, Pas fillimit të alokimit të mjeteve nga Ministria e Financave dhe pagesës së faturave nga Komuna e Prishtinës, N.P.K. “Trafiku Urban” SHA ju njofton se nga nesër, më datë 03 dhjetor 2025, do të rifillojë ofrimin e shërbimit të transportit publik”.
“Gjatë ditëve të fundit, ndërprerja e transportit ka qenë e pashmangshme për shkak të pamundësisë financiare të krijuar nga mospagesa e detyrimeve të Komunës ndaj ndërmarrjes. Shprehim keqardhje të sinqertë për vështirësitë me të cilat qytetarët janë detyruar të përballen gjatë këtyre ditëve pa shërbimin e transportit publik dhe i falënderojmë për mirëkuptimin e treguar”, thuhet në njoftimin e Trafikut Urban.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të martën ka njoftuar se kanë nisur të kryejnë pagesat e borxheve pas alokimit të pjesshëm të mjeteve nga Ministria e Financave.
Më herët, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Komunës së Prishtinë i janë alokuar 2.7 nga 25 milionë euro sa janë në total të hyrat vetanake të vitit 2024.