Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), në bashkëpunim me Forumin Konsultativ me Shoqërinë Civile, ka shënuar “Javën e Integritetit 2025” në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Gjatë aktivitetit u publikuan vlerësime mbi gjendjen e integritetit institucional, sfidat në zbatimin e planeve të integritetit në nivel komunal dhe nevoja për një qasje më të thelluar kundër korrupsionit.
Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, tha se integriteti institucional është detyrim dhe theksoi se agjencia do të vazhdojë të mbajë qëndrim të paanshëm dhe profesional në çdo vendim.
“Integriteti nuk është opsional, është detyrë e jona. Ne si agjenci do të vazhdojmë që të jemi të paanshëm, të vendosur dhe profesional me secilin vendim tonin. Ne do të vazhdojmë që të insistojmë në përgjegjësi të zyrtarëve publik, në transparencë dhe në një kulturë ku korrupsioni nuk tolerohet. As në raste të mëdha as në raste të vogla, sepse rastet e vogla dërgojnë në ato të mëdha. Agjencia nuk mund t’i kryej ato vetë nëse nuk bashkëpunojmë me gjithë ju”, tha ai.
Burim Sadiku, udhëheqës i Divizionit për Integritet dhe Strategji në APK, tha se monitorimi i planeve të integritetit nëpër komuna ka zbuluar sfida të përsëritura, duke përfshirë nënvlerësimin e rreziqeve dhe qasje formale në hartimin e dokumenteve.
“Nga monitorimi i planeve të integritetit në kontinuitet, janë identifikuar katër sfida. Sfida e parë është nënvlerësimi i rreziqeve reale. Kjo nuk vlen për gjitha institucionet. Është mungesa e të dhënave çka e bën vlerësimin e rrezikut më shumë përcaktim se sa analizë. Qasja formale, kjo është te disa komuna. Nga ky raport i kemi 108 institucione që kanë raportuar në periudhën e parë. I kemi 15 institucione që nuk kanë raportuar, i kemi 13 institucione të cilave u kemi përcjellur kërkesë se kanë përditësimet e detyrueshme”, tha ai.
Profesori universitar Bekim Baliqi tha se procesi i hartimit të planeve të integritetit ka pësuar mangësi thelbësore për shkak të afateve të shkurtra, mungesës së burimeve dhe mospërcaktimit të qartë të përgjegjësive.
“Përkundër faktit që plani i integritetit është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe ka qëllime të përcaktuara mirë, mendoj se ka disa mangësi thelbësore që gjatë procesit të hartimit kam arritur t’i identifikoj. Njëra ka qenë afatet e shkurta përgatitore për hartimin e planeve, e dyta ka qenë mungesa e burimeve edhe njerëzore edhe materiale dhe mosidentifikimi i zyrtarëve përgjegjës. Sipas raporteve të ndryshme ndërkombëtare, ato theksojnë se Kosova ka progres në këtë fushë. Por gjithashtu ka edhe sfida në zbatim të ligjeve ekzistuese. Krahasuar me shtete në rajon ne qëndrojmë më mirë se Bosnia ose Serbia. Mirëpo krahasuar me Malin e Zi apo Maqedoninë, kemi ngecje në këtë fushë, gjithmonë sipas raporteve ndërkombëtare”, tha ai.
Ndërsa Albert Avdiu, konsulent i jashtëm nga Lëvizja FOL, tha se sfidë mbetet mungesa e buxhetit të dedikuar për zbatimin e masave parandaluese të identifikuara në planet e integritetit.
“Ligjet për parandalimin e korrupsionit, te pjesa e planit të integritetit, nuk parasheh buxhet shtesë. Gjithçka që duhet të identifikohet si rrezik duhet të adresohet brenda mundësive. Disa plane të integritetit kanë paraparë disa masa për kosto shtesë buxhetore e që realisht mandej është problem që të zbatohen”, tha ai.
Albana Rexha, analiste e lartë e politikave në D+, theksoi se pa integritet të institucioneve, të gjitha reformat dhe strategjitë mbeten vetëm në letër. Ajo nënvizoi se integriteti është elementi kryesor që i jep kuptim çdo reforme brenda institucioneve.
“Ne mund të flasim për reforma të ndryshme, për strategji të ndryshme, për modernizimin e administratës, por pa integritet, të gjitha këto mbeten vetëm deklarata. Integriteti është ai elementi kryesor që i jep kuptim të gjitha këtyre reformave brenda institucioneve. Në këtë kontekst, plani i integritetit nuk duhet parë vetëm si një dokument apo obligim ligjor, mirëpo duhet të konsiderohet një instrument themelor i qeverisjes, i transparencës dhe i llogaridhënies, i cili derivon nga brenda,” tha ajo.



