Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hysen Çekaj, ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Lajmin e ka konfirmuar vetë përmes një postimi në Facebook, ku ka sqaruar arsyet e vendimit.
Çekaj ka theksuar se arsyeja kryesore për moskandidimin lidhet me nevojën për t’iu përkushtuar familjes, veçanërisht nënës së tij, e cila, siç tha ai, ka më shumë se kurrë nevojë për praninë dhe përkujdesjen e tij.
“Siç e keni parë, kësaj radhe nuk do të jem kandidat për Kuvendin e Kosovës. Vullnetin, energjinë dhe bindjen për fitoren tonë të përbashkët i kam të plota – ato nuk më kanë munguar kurrë. Por, përballë përgjegjësive që kam ndaj familjes sime, e sidomos ndaj nënës time, e cila sot më shumë se kurrë ka nevojë për praninë dhe përkujdesjen time, me keqardhje ju njoftoj se nuk do të jem pjesë e listës.
Ky vendim nuk e ndalon angazhimin tim. Përkundrazi – mbetem plotësisht aktiv në organizimin e mërgatës sonë të mrekullueshme dhe të përkushtuar.
Përmes kësaj deklarate, dua t’i ftoj të gjithë bashkatdhetarët e mi në përkrahje të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të ndryshimit të domosdoshëm që vendi ynë, Kosova jonë, ka aq shumë nevojë.
Jam i bindur se në zgjedhjet e ardhshme do të rikthehem edhe më fuqishëm, si në garë ashtu edhe në angazhimet e drejtpërdrejta për LDK-në dhe për Kosovën”, shkroi Çekaj.