Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka lansuar platformën digjitale “Integrity Watch Kosova”, përmes së cilës do të bëhet i mundur monitorimi i integritetit në politikë dhe qasja e qytetarëve në të dhëna të detajuara mbi deklarimin e pasurisë, prokurimin publik dhe praktikat e transparencës në institucionet publike, raporton Ekonomia Online.
Në hapje të konferencës u theksua se integriteti në politikë mbetet një ndër sfidat kryesore të shteteve demokratike në Ballkanin Perëndimor, ndërsa u potencua se platforma e re synon rritjen e llogaridhënies dhe luftimin e korrupsionit në vend.
Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, theksoi rëndësinë rajonale të programit të integritetit, duke potencuar se bëhet fjalë për një iniciativë me bazë të gjerë dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në luftën kundër korrupsionit.
“Programi i integritetit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, shoqëria civile kundër korrupsionit, pjesë të dhënave mbi integritetin publik është një program që udhëhiqet nga KDI në nivelin rajonal. Kjo iniciativë e udhëhequr nga KDI dhe mbështetur nga Komisioni Evropian dëshmon se angazhimi në luftën kundër korrupsionit nuk njeh kufij dhe kërkon veprim të koordinuar midis shoqërisë civile, mediave dhe institucioneve dhe vetë qytetarëve. Ky hap është një hap konkret të institucioneve më të hapura drejt krijimit të llogaridhënies dhe përgjegjësisë nga institucionet”, tha ai.
Ai shtoi më tej rëndësinë e qasjes së gjerë kundër korrupsionit politik në Kosovë.
“Në Ballkan, e veçanërisht në Kosovë, korrupsioni politik mbetet një ndër sfidat në konsolidimin e shtetit demokratik. Perceptimi për mungesë të ndëshkueshmërisë, lidhjet jo transparente midis politikës dhe biznesit, abuzimet në prokurimin publik, financimi jo i qartë i partive politike, deklarimet jo të plota të pasurisë së zyrtarëve publikë ka dëmtuar për vite me radhë dhe vazhdojnë ta dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet publike. Të dhënat ekzistojnë, por janë të shpërndara dhe shpesh herë të vështira për t’u kuptuar. Platforma është një mjet i thjeshtë digjital i cili informacionin teknik e bën shumë të lehtë dhe të kuptueshëm për qytetarët”, tha ai.
Nicola Scaramuzzo, nga Unioni Evropian, Seksioni i Sundimit të Ligjit dhe të Drejtave të Njeriut, theksoi dëmin që korrupsioni i shkakton institucioneve demokratike dhe procesit politik, duke paralajmëruar se mekanizmat e ndikimit të paligjshëm janë të shumëfishtë dhe të sofistikuar.
“Korrupsioni cenon thelbin e vetë institucioneve publike, duke gërryer besimin, duke penguar rritjen ekonomike dhe duke shtrembëruar vendimmarrjen politike. Dhe korrupsioni politik, në veçanti, përmes mekanizmave të shumtë. Ka shumë mekanizma, si lobimi, lobimi jo transparent, lobimi i padeklaruar, financimi politik, ose ‘dyert rrotulluese’ të parregulluara. Kjo hap shumë kanale për bizneset dhe grupet e interesit të veçantë për të shtyrë përpara ligje ose vendime në favor të tyre”, tha ai.
Ai e vuri theksin edhe te rëndësia që BE-ja i jep luftës kundër korrupsionit, duke sqaruar se platforma e re do të shërbejë si mjet thelbësor për publikun dhe ekspertët.
“Më lejoni të theksoj se luftimi i korrupsionit mbetet një prioritet kryesor për agjendën e BE-së. Platforma Integrity Watch do t’i ofrojë publikut të Kosovës, siç është thënë nga Drejtori, informacione sistematike mbi zbatimin e ligjeve që lidhen me deklarimin e pasurisë, prokurimin publik dhe kështu me radhë. Ajo do t’u shërbejë jo vetëm qytetarëve të përgjithshëm, por edhe entiteteve të specializuara, ekspertëve, studentëve, studiuesve, duke u ofruar mjete për të studiuar të dhënat e disponueshme dhe për të nxjerrë njohuri lidhur me zbatimin e ligjit”, tha ai.
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Yll Buleshkaj, vuri në dukje rëndësinë teknike dhe praktike të platformës duke shpjeguar funksionimin e saj dhe përfitimet që sjell për institucionet dhe qytetarët.
“Ky mekanizëm e bën ndërlidhjen e tri databazave tepër të rëndësishme të cilat na japin një pasqyrë të qartë për atë se si po shpenzohen paratë publike në Kosovë dhe se si ajo mund të qarkullojë apo ndikojë pastaj në vendimmarrjen e cila mund të ketë edhe elemente të ndikimit në politikat publike. Për ne si agjenci do të na ndihmojë shumë në identifikimin e rasteve të cilat do t’i hetojmë në bazë të indikatorëve të rrezikut. Secili qytetar i Kosovës, por jo vetëm i Kosovës, mund ta përdorë këtë qoftë për gazetari të mirëfilltë hulumtuese, qoftë për të bërë hulumtime shkencore apo gjysmë shkencore si pjesë të aktiviteteve shkollore akademike. Përveç neve janë dy institucione tjera që janë mjaft të rëndësishme dhe që do të përfitojnë nga ky aplikacion”, tha ai.
Hulumtuesja e KDI-së, Diana Metushi-Krasniqi, e cila prezantoi platformën, e përshkroi atë si një mjet të besueshëm për të gjithë ata që duan informacion të verifikuar mbi integritetin publik.
“Nëse kisha mendu një mënyrë që si me majt në mend Integrity Watch, kisha thënë, nëse ndonjëherë keni dyshime te fjalët e të tjerëve është gjithmonë një burim që mundemi me besu. Është një platformë ku marrim të dhënat publike dhe i bëjmë të dhënat që të flasin, ju japim zë dhe pamje të të dhënave publike në promovimin e integritetit”, tha ajo.



