ISP mbush 21 vjet, Kryeziu: Dikur ishte lehtë të nisej biznesi, sot është shumë më vështirë ta mbash

Prishtinë | 08 Dhj 2025 | 17:39 | Nga Ekonomia Online

ISP Broadcast ka shënuar 21-vjetorin e themelimit, ndërsa pronari dhe drejtori ekzekutiv i saj, Qendrim Kryeziu, ka treguar mbi sfidat dhe ndryshimet që ka kaluar kompania gjatë dy dekadave të fundit

Në një intervistë për Ekonomia Online, Kryeziu tha se rruga nga viti 2004 deri sot ka qenë sfiduese, duke theksuar se dikur ishte më e lehtë të filloje biznesin, ndërsa sot është shumë më vështirë ta mbash atë.

Ai kritikoi rritjen e çmimeve të energjisë elektrike, duke e quajtur “të papërballueshme”, si dhe akuzoi qeverinë në detyrë për vështirësimin e kushteve ekonomike për bizneset dhe punëtorët.

“Me thënë të drejtën është shumë e vështirë të flasësh, sepse në vitin 2004 kur kam filluar të punoj në kompaninë ISP kam filluar vet personalisht. Atëherë ka qenë shumë e lehtë me fillu punën, në qoftë se ke pasur mundësitë financiare me vazhdu punën ka qenë shumë e lehtë me fillu punën. Sot është shumë vështirë me mbajt punën, janë dy dallime pas 21 viteve shumë të mëdha. Këto vështirësi na ka sjellë qeveria Kurti duke na dëmtuar në çdo sektor të jetës, duke ia vështirësuar jetën secilit prej qytetarëve tanë, edhe punëtorëve të mi dhe secilit që jeton këtu. Në vend se të jetojmë më mirë sepse kemi rregulluar disa kushte, ne sot me ato kushte të rregulluara nuk mund të jetojmë. Dikush thotë pse të rënda, pse kam punuar, i kam bërë mbi 50 punëtorë. Mua më është shtrenjtuar energjia elektrike 350 deri në 500 përqind, a është normale kjo? Më mirë do të ishte që punëtorët e mi me i marrë pagat e 13-ta, më mirë do të ishte që të kishin një rritje prej 10 përqind si e kanë marrë çdo vit, sesa me ia pagu ato para Serbisë. Vetë na ka thënë kryeministri ynë që ia ka marrë votën punëtorëve të mi, i ka thënë që ne nuk jemi me Serbinë, nuk kemi të bëjmë asgjë me Serbinë. Vetëm këtë vit 1 miliard e 100 milionë i ka blerë energji prej Serbisë, kjo është diçka stratosferike, e paimagjinueshme, atë faturë jemi duke e paguar të gjithë.

Sipas tij, situata ekonomike ka bërë që edhe punëtorët me paga më të larta sot ta kenë më të vështirë jetesën krahasuar me vitet e kaluara, duke shtuar se shumë prej tyre po mendojnë të largohen nga vendi.

“Ne e kemi fituar edhe lëndën në gjykatë për ZRRE. Si mundet me pasur shtet brenda shtetit, si mund të ketë institucion brenda institucioni, kur gjykata niveli më i lartë i vendit thotë që e keni votuar lëndën dhe duhet të kthehet në pikën zero, dhe ajo nuk zbatohet. Bizneset vazhdojnë prapë edhe pse gjykata na ka dhënë të drejtën dhe kemi fituar, ZRRE vazhdon me shtrenjtimin e energjisë. Përpara nuk e kemi pasur fare problem të siguroj pagat, përpara kanë jetuar më të lumtur punëtorët tanë, edhe në vitin 2004 kur e kanë marrë 300 euro pagën, aq e kemi pasur pagën startuese. Kanë blerë shumë gjëra me 300 sesa që i kanë nga 800–900 euro paga neto. Sot jetojnë me vështirësi ekonomike, nuk kanë mundësi me ble gjëra ushqimore, janë duke jetuar në kushte shumë më të rënda me vlerat më të mëdha të pagave. Nuk ndihemi as unë rahat sepse e kanë mendjen me dalë jashtë, dhe asnjë qeveri s’e ka pasur, se në qeverinë Kurti nuk ka dalë rinia jashtë, për çka e kanë lëshuar, që kanë pasur energji 24 orë apo ujë.”

Të ngjashme