Kolegji i Gjykatës Supreme, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ndërsa ka vërtetuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), me të cilin u konstatua se hapja e qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike është në kundërshtim me ligjin.
“PZAP, me vendimin ZP.Anr.3/2025, të datës 30.11.2025, ka pranuar si të bazuar ankesën ZP.A.nr.3/2025, e datës 27.11.2025, e parashtruar nga Subjekti Politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe ka ndryshuar vendimin Nr.01/3438-2025, të datës 26.11.2025, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), sa i përket Qendrave të Votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve si dhe listën e qendrave të votimit, ashtu që si Qendra të Votimit jashtë Kosovës për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, caktohen përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësirat e tyre”, thuhet në njoftim.
Supremja thekson se kundër vendimit të PZAP-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke pretenduar se vendimi është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat ligjore si dhe duke propozuar që Gjykata Supreme ta aprovojë ankesën e saj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Por, Gjykata Supreme nga shqyrtimi i shkresave, erdhi në përfundim se ankesa e ankuesit është e pabazuar, ndërsa vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe i ligjshëm
“Gjykata Supreme mbështet vlerësimin e PZAP-së, se lejimi i qendrave të votimit vetëm brenda hapësirave të përfaqësive diplomatike është paraparë si masë mbrojtëse për të siguruar integritetin e votës dhe kjo nuk mund të parashihet si pengesë në ushtrimin efektiv të te drejtave të votimit të shtetasve të Republikës së Kosovës që banojnë jashtë territorit të Kosovës. Paneli, me të drejtë, vlerëson se “Republika e Kosovës iu ka garantuar të drejtën e votës edhe shtetasve që jetojnë jashtë vendit, mirëpo e njëjta gjithashtu ka përcaktuar edhe kushte ligjore për ushtrimin e të drejtës në fjalë”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, sipas njoftimit publik të datës 27 nëntor 2025, KQZ në mbledhjen e 84-të, në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, ka marrë vendim për miratimin e Qendrave të Votimit për votimin jashtë vendit. Ndërkaq, përveç përfaqësive diplomatike, KQZ ka njoftuar se sipas të njëjtit vendim Qendra të Votimit do të hapen edhe në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për të votuar 40,850 votues”, thuhej në njoftim.
Lidhur me vendimin e KQZ-së, më 29 nëntor 2025 ka reaguar Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). Sipas IKD-së hapja e qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullat zgjedhore.
“Kjo mënyrë rrezikon integritetin e procesit zgjedhor dhe hap mundësi për keqpërdorime. Në rast të ankesave potenciale, krijohen mundësitë për anulimin e votave në këto Qendra të Votimit, pikërisht për shkak se ligji nuk e lejon hapjen e këtyre qendrave”, thuhej në reagim.
IKD bëri thirrje që KQZ të ndërpresë veprimet që bien ndesh me ligjin dhe rregullat zgjedhore.
“Respektimi i ligjit përbën themelet e integritetit zgjedhor dhe të funksionimit demokratik të institucioneve. Prandaj, KQZ ka detyrim që brenda mandatit të saj të përcaktuar me ligj, të sigurojë që proceset zgjedhore të jenë plotësisht të ligjshme dhe të besueshme”, thuhej në reagim.