Ismail Fetah Abdullahu lindi më 5 Nëntor 1956 në Gllamnik të Podujevës. Shkollën tetëvjeçare e kreu
në vendlindje. Meqë kishte prirje të dukshme në lëndën e matematikës, me sugjerimin e arsimtarit të
tij,Ejup Dibrani, më 1972 u regjistrua në Gjimnazin Matematikor të Prishtinës, një ndër institucionet
më elitare të kohës. Zaten, kjo periudhë ishte vendimtare në formimin e tij.
Ai aty e ushqeu dhe forcoi pasionin për shkencat ekzakte, duke i përfunduar me sukses mësimet.
Më 1975, si nxënës i gjeneratës së parë të këtij gjimnazi, ai dhe shokët e tij u regjistruan në FSHMN –
seksioni Matematikë, të Universitetit të Prishtinës, pa iu nënshtruar provimeve pranuese.
Në atë kohë, mungesa e arsimtarëve të matematikës ndihej pothuajse në të gjitha shkollat e Kosovës,
veçanërisht në Podujevë.
Për këtë arsye, krahas studimeve, më 1 shtator 1979 Ismaili filloi punën si arsimtar i matematikës në
gjimnazin “8 Nëntori” të Podujevës.
Edhe pse nga ajo kohë kanë kaluar plot 47 vite, ish-nxënësit e tij e kujtojnë me respekt të veçantë,
sepse tek ai nuk mësonin vetëm matematikë, por mësonin sjellje prej njeriu të edukuar e me karakter.
Pas suprimimit të Autonomisë së Kosovës, më 23 mars 1989, Serbia filloi një fushatë të egër dhune
dhe segregacioni ndaj shkollave shqipe. Arsimtarë e nxënës u dëbuan me forcë nga objektet e tyre.
Ismaili, së bashku me kolegët dhe nxënësit, iu kundërvu këtij terrori mesjetar me organizimin e
mësimit paralel në shtëpitë-shkolla të Podujevës, të lëshuara vullnetarisht nga qytetarët.
Deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës, ai punoi si arsimtar i matematikës në shtëpinë-shkollë të
Kadrush Muratit, te Qershitë e Llapashticës së Poshtme.
Më 27 shtator 1993, Ismail Abdullahu u zgjodh anëtar i Kryesisë së LDK-së, nëndega Gllamnik.
Ky angazhim, në atë kohë dhune të egër, kërkonte guxim dhe sakrificë.
Unë vetë, si kryetar i LDK-së, në këtë nëndegë gjatë viteve 1993–1994, pata një bashkëpunim të
shkëlqyeshëm me të. Ismaili ishte i përmbajtur, korrekt dhe i përgjegjshëm në çdo detyrë.
Në vitin 1994, ai u emërua drejtor i shkollës fillore “Kongresi i Manastirit” në Gllamnik.
Këtë detyrë e kreu deri më 2008, duke lënë gjurmë të pashlyeshme profesionale e njerëzore në shkollë.
Ai e ngriti nivelin edukativo-arsimor, krijoi disiplinë, rregull dhe respekt kolegjial ndër mësimdhënës.
Këtë nivel jo vetëm që e ruajti, por e forcoi edhe më shumë pasardhësi dhe bashkëfshatari i tij, Dr.
Fahri Nuhi Osmani.
Edhe pse kishte qenë luftëtar aktiv i UÇK-së, Zona Operative e Llapit, Ismail Abdullahu, asnjëherë
nuk kërkoi favore për veten apo familjen.
Kur filloi aplikimi për statuset e dala nga lufta, ai shkoi vetëm për të kryer formalitetet, meqenëse
kolegët ia kishin sugjeruar.
Por, gjatë pritjes në rresht, vërejti me dhimbje se shumë prej atyre që po aplikonin nuk kishin qenë fare
pjesë e luftës.
I revoltuar nga ajo padrejtësi, u largua. Kur disa nga shokët e pyetën:
“Ku shkon?” ai u përgjigj prerazi: “Më me vlerë për mua është fytyra se sa paraja.”
Ky episod, në dukje i thjeshtë, është një prej dëshmive më të qarta të karakterit të tij të pastër sikur
loti.
Ismaili kishte unin e vet dhe ishte njeri me parime të qarta. Ai shpesh thoshte:
“Njeriu duhet të ketë principe. Nderi nuk shitet e as nuk matet me kompensime.”
Në vitin 2008, ai u aktivizua në radhët e AAK-së, ku edhe u zgjodh nënkryetar i degës së AAK-së, në
Podujevë.
Kurse më 18 mars 2008 u emërua Drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm, Inspeksion, Kadastër dhe Pronë
në Komunën e Podujevës.
Në qershor të vitit 2009, bashkë me një grup ekspertësh të komunës, më në krye z. Ilaz Pireva, kryetar
mori pjesë në një vizitë zyrtare në Stamboll.
Nga 6 janari 2010 deri më 25 mars 2013 ishte këshilltar komunal, ndërsa në vitin 2013 u bë udhëheqës
i grupit të këshilltarëve të AAK-së.
Përveç angazhimit publik, ai vijoi punën si mësimdhënës në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” të
Podujevës. Ismaili profesionin e mësimdhënësit e çmonte dhe e donte me zemër.
Takimin tim të fundit me Ismailin do ta kujtoj deri në varr. Edhe pse kishim folur përmes telefonit
shumëherë, nuk ishim parë që prej 13 korrikut 1994.
U takuam sërish më 23 qershor të vitit 2009, kur ai, i shoqëruar nga Bahtir Rasim Ejupi, erdhi në
shtëpinë time për të më ngushëlluar për vdekjen e nënës.
Qëndruam së bashku dy-tre orë, duke kujtuar periudhat tona si nxënës të shkollës fillore “Meto
Bajraktari” në Gllamnik, dhe më vonë si veprimtarë të LDK-së, që për kohën konsiderohej si Lëvizje
mbarëkombëtare.
Ismaili ishte i thjeshtë, modest dhe i ndershëm. I urrente narcisët dhe i donte njerëzit e urtë e
punëtorë, sepse i tillë ishte edhe vetë.
Ai u largua nga kjo botë papritur më 2 janar 2015, nga një infarkt në zemër, kurse u varros të nesërmen
në fshatin e tij të lindjes, me pjesëmarrjen e mijëra njerëzve.
“Njerëzit si Ismaili lënë boshllëk jo vetëm në familje, por edhe në shoqëri,” – thotë me lot nëpër faqe
profesori i kimisë, Fadil Haliti, një nga shokët e tij më të afërt.
Fadili ka të drejtë, ngase të gjithë ata që e njohën Ismailin thonë se ai ishte shembull i arsimtarit të
dashur, drejtorit vizionar dhe qytetarit të ndershëm.
Ismaili la pas vetes një familje të ndershme dhe të arsimuar që ka kontribuar dhe kontribuon edhe sot
në shkollat e Llapit.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Ismail Abdullahun, i cili në ditët më kritike bëri të pamundurën që
shkolla në gjuhën shqipe të mbijetojë!