Komunikacioni në disa zona të Malishevës është vështirësuar si dhe në disa pjesë, lumi Mirusha ka dalë nga shtrati për shkak të prurjeve të mëdha të ujërave. Nga komuna teksa thonë se po mundohen të mbajnë nën kontroll, tregojnë edhe se furznimi me energji elektrike po bëhet me reduktime, ndërsa furnizimi me ujë është i rregullt por që nuk mund të përdoret për pije.
“Si pasojë e reshjeve të mëdha gjatë orëve të fundit, në disa rrugë në territorin e Komunës së Malishevës ka vështirësi në qarkullim, mirëpo situata e përgjithshme mbetet e menaxhueshme. Ekipet e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, Policia e Kosovës, si dhe ekipet komunale, janë në gatishmëri të plotë dhe në shërbim të qytetarëve. Në disa pjesë, lumi Mirusha ka dalë nga shtrati për shkak të prurjeve të mëdha të ujërave. Si rezultat i prezencës së ujit në rrugë, aktualisht me vështirësi të kalueshme janë: rruga “Hamdi Berisha” në Malishevë, transiti afër lagjes Hoti, rruga Malishevë-Banjë, rruga Mirushë-Gurbardh, rruga Lubizhdë-Turjakë, ura në Lubizhdë, një urë në një lagje të fshatit Damanek, si dhe rruga për në fshatin Panorc, ku në dy segmente ka prezencë të ujit. Furnizimi me energji elektrike po realizohet me reduktime në disa pjesë të qytetit, ndërsa furnizimi me ujë është i rregullt, por uji nuk është i përdorshëm për momentin, për shkak të ndotjes nga vërshimet e ditëve të kaluara”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Komuna ka thënë se ekipet përkatëse janë në terren duke punuar, duke u bërë thirrje edhe qytetarëve që të shfrytëzojnë disa rrugë alternative për lëvizje.
“Ekipet përkatëse janë në terren dhe po punojnë për sanimin e këtyre vështirësive. Luten qytetarët që të shfrytëzojnë rrugët alternative për lëvizje, të mos tentojnë të përdorin rrugët e lartcekura dhe të respektojnë sinjalistikën e vendosur nga Policia e Kosovës për ndalim të qarkullimit”, bëhet e ditur.