Avokati Valdrin Gashi ngre shqetësime për shkelje ligjore pas ndalimit të 39 personave në Prizren

Prishtinë | 10 Jan 2026 | 14:09 | Nga Ekonomia Online

Avokati Valdrin Gashi ka reaguar publikisht lidhur me rastin e arrestimit të 39 personave, për të cilët mbrëmë është mbajtur seancë dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa si palë e dëmtuar figuron BKS.

Sipas Gashit, për 35 nga të ndaluarit Prokuroria nuk ka paraqitur kërkesë për paraburgim, por vetëm kërkesa për masa alternative të sigurisë, si paraqitja periodike në stacion policor dhe ndalimi i afrimit në vende apo ndaj personave të caktuar.

“Gjyqtari ka pasur mundësi ligjore që në procesverbal të shënojë lirimin e tyre, pasi nuk ishte kërkuar paraburgim për të njëjtit. Megjithatë, të gjithë të ndaluarit, përfshirë edhe këta 35 persona, janë kthyer përsëri në qendrën e ndalimit”, ka deklaruar Gashi.

Ai thekson se, edhe pse kanë kaluar më shumë se 48 orë nga arrestimi, Gjykata Themelore në Prizren ende nuk ka nxjerrë vendim për masën e sigurisë, duke vepruar në kundërshtim me nenin 162, paragrafi 8 të Kodit të Procedurës Penale.

“Sipas ligjit, mbajtja e personave në ndalim pas këtij afati, pa vendim gjyqësor, përbën ndalim arbitrar dhe të kundërligjshëm”, ka theksuar avokati.

Në fund të reagimit të tij, Gashi ka rikujtuar se respektimi i afateve ligjore dhe i të drejtave themelore të njeriut nuk është çështje vullneti institucional, por një detyrim i qartë ligjor për çdo institucion të drejtësisë.

Të ngjashme