El Clasico i zjarrtë në Arabinë Saudite, Barça dhe Reali duelojnë për Superkupën e Spanjës

Prishtinë | 11 Jan 2026 | 15:53 | Nga Ekonomia Online

Për të katërtin vit radhazi finalja e Superkupës së Spanjës do të duelohet mes Barcelonës dhe Real Madridit. Ky është El Clasico i dytë i sezonit, pas atij të fituar 2:1 nga “Los Blancos” në Bernabeu në tetor.

Barça mbërrin te kjo sfidë pasi që mposhti lehtësisht në gjysmëfinale Athletic Bilbaon 5:0, me 4 gola që u shënuan që në pjesën e parë. Kjo ishte fitorja e nëntë rresht e skuadrës blaugran, në secilën prej këtyre triumfeve janë shënuar dy e më tepër gola.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Hansi Flick ka mbajtur portën e paprekur në pesë takimet e fundit, një fakt që shton besimin te katalanasit për arritjen e trofeut të 16-të të Superkupës spanjolle.

Real Madridi nga ana tjetër arriti të fitonte derbin e qytetit me Atleticon në gjysmëfinale 1:2 me golat e Valverdes dhe Rodrygos. Ajo përballje u karakterizua edhe nga tensioni mes Diego Simeones dhe Vini JR. Xabi Alonso prej një muaji përballet me spekulimet e shkarkimit nga stoli i mbretërve, por fitorja në këtë finale do t’i shtonte besimin ish-trajnerit të Bayer Leverkusenit. Lajmi më i mirë për Realin është rikthimi nga lëndimi i super yllit francez Kylian Mbappe, në misionin e madrilenëve për të fituar Superkupën e 13-të në histori të klubit.

Vitin e shkuar në finale Barcelona kishte shkatërruar Real Madridin me fitoren e thellë 5:2.

Ndeshjen që ngjall emocione të mëdha mund ta shikoni në platformën Artmotion përmes kanalit SuperSport 2 nga ora 20:00.

Të ngjashme