Pasi mori medaljen Presidenciale nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, personaliteti i njohur i sportit botëror, Hasan Arat u shpreh falënderues duke thënë se kjo është një nder i madh për të dhe familje, e ku shtoi se Kosova është një vend i madh në sport, raporton Ekonomia Online.
Arat tha se Lojërat Mesdhetare që do të mbahen në Prishtinë në 203-tën do të sjellin një trashëgimi të madhe për vendin i cili do të jetë një frymëzim për brezat e rinj.
“Sot është një ditë e madhe për mua, për vendin tim, për familjen time dhe për veten time. Është një nder i madh për mua të marr këtë medalje nga Presidentja e Republikës së Kosovës. Dhe u uroj gjithë të mirat popullit të Kosovës që të kenë lojëra të shkëlqyera të Mesdheut 2030 në Prishtinë. Kosova është një vend i madh në sport dhe këto Lojëra Mesdhetare do të sjellin një trashëgimi të madhe për vendin dhe do të frymëzojnë brezat e rinj që t’i ndjekin ato. Është një ditë e madhe për diplomacinë sportive që lidh vendet, sjell paqe, solidaritet dhe frymëzon brezat e rinj. Kosova ka një potencial të madh dhe kjo e vërtetoi. Lojërat Mesdhetare 2030 në Prishtinë vërtetojnë se do të jenë lojëra fantastike dhe një njohje e madhe për shtetin e Kosovës. E dini, populli i Kosovës e do shumë sportin dhe sporti është një dialog ndërkombëtar që lidh vendet dhe njerëzit me njëri-tjetrin. Ju e keni parë kur morët medaljen e artë në vitin 2016, njohja e Kosovës ishte një nga më të mirat në atë kohë. Pra, ne patëm të njëjtën përvojë për Turqinë dhe sporti është gjithmonë një lidhje e madhe diplomatike dhe solidariteti i mbarë botës. Prandaj mendoj se është shumë e rëndësishme për brezat që do të vijnë. Kjo trashëgimi do të sjellë një frymëzim fantastik te të rinjtë. Për të rinjtë, kjo është shumë e rëndësishme”, tha ai.
Ai përmendi faktin se organizimi i Lojërave Mesdhetare është një organizim i madh e për të cilat duhet të ketë kujdes sepse do të mbetet përgjithmonë një trashëgimi për vendin.
“Po, mundet, mundet. Sepse ky është tashmë një organizim shumë i madh. Lojërat Mesdhetare janë një organizim shumë i madh, një nga organizimet më të mëdha. Prandaj duhet të jeni shumë, shumë të kujdesshëm për organizimin e lojërave të mira, sepse ajo trashëgimi do të vazhdojë përgjithmonë”, tha Arat.
Teksa e falënderoi për medaljen, Arat dha përgëzoi Osmani duke thënë se ajo është një ndjekëse e madhe e sportit.
“Kjo medalje për mua do të thotë shumë sepse i njoh ditët e hershme të njohjes së Kosovës në Komitetin Olimpik Evropian në vitin 2014 dhe më pas në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Dhe pastaj morët medaljen në Lojërat e Rios në 2016. Pra, sporti është shumë i rëndësishëm. Kur shikoni lojtarët tuaj që luajnë në Turqi, rreth Evropës, ata janë ambasadorët e vendit. Kështu që, për mua marrja e kësaj medaljeje nuk është vetëm për veten time. Kjo medalje është për vendin tim, për botën e sportit, për familjen time. Kjo do të thotë shumë. Prandaj e vlerësoj vërtet shumë Presidenten e Kosovës për marrjen e kësaj medaljeje. Zonja Osmani është një ndjekëse e madhe e sportit dhe po e mbështet shumë sportin dhe marrëdhënien tonë. Kjo do të thotë shumë për mua”, u shpreh Arat.

