Ministri i jashtëm i Iranit ka komunikuar ditët e fundit me Steve Witkoff, të dërguarin e posaçëm të Donald Trump, ndërsa presidenti amerikan po vlerëson marrjen e veprimeve në përgjigje të shtypjes së protestuesve nga Teherani, sipas një personi të njohur me çështjen, raporton CNN.
Nuk është e qartë se çfarë, nëse diçka, mund të rezultonte nga kontakti i ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araghchi. Por disa zyrtarëve amerikanë u ishte dukur si një përpjekje për t;i ulur tensionet mes kërcënimeve të Trump.
Witkoff dhe Araghchi vendosën një kanal komunikimi në fillim të vitit të kaluar ndërsa administrata Trump po punonte për të negociuar një marrëveshje bërthamore. Ato bisedime u ndërprenë pasi SHBA bombardoi objektet bërthamore iraniane në qershor.
Trump tha të dielën se Irani e ka telefonuar një ditë më parë për të negociuar.
“Ata telefonuan dje”, tha Trump. “Irani telefonoi për të negociuar”.
“Udhëheqësit e Iranit, ata duan të negociojnë”, vazhdoi ai. “Mendoj se janë lodhur nga goditjet e Shteteve të Bashkuara. Irani dëshiron të negociojë me ne”.
Sot, zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane Esmail Baghaei tha se kanali i komunikimit mes Araghchi dhe Witkoff “mbetet i hapur” dhe “kurdo që është e nevojshme, mesazhet shkëmbehen përmes atij kanali”.
Ai shtoi se “pika dhe ide të caktuara janë paraqitur nga pala tjetër”, duke iu referuar SHBA-së.