Avokati i Popullit alarmon Trendafilovën: Specialja po gjykon me prova të paligjshme nga Serbia

Prishtinë | 13 Jan 2026 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Dokumente të dyshimta që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe pas vitit 1999, një periudhë kur Serbia nuk kishte juridiksion të ligjshëm në Kosovë, po përdoren si prova në proceset e Dhomave të Specializuara. Kjo praktikë, e shoqëruar edhe me pranimin e librave dhe botimeve me kredibilitet të ulët si materiale provuese, ka ngritur dyshime serioze për ligjshmërinë dhe besueshmërinë e procedurave gjyqësore.

Këto shqetësime janë ngritur nga Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, Naim Qelaj, në një letër drejtuar Kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ku ai paralajmëron për shkelje të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Në letrën që ka siguruar ekskluzivisht Kanal10, Qelaj ngre shqetësime edhe për kufizimet në komunikim, vizita familjare dhe monitorimin e vazhdueshëm gjatë paraburgimit, duke paralajmëruar për shkelje serioze të të drejtave themelore të njeriut.

Në letrën e tij, Qelaj thekson se procedurat që zhvillohen para Dhomave të Specializuara, sipas vlerësimit paraprak të institucionit që ai drejton, paraqesin mangësi serioze në raport me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Një nga shqetësimet kryesore që ngre Avokati i Popullit është fakti se Dhomat e Specializuara nuk i nënshtrohen asnjë mekanizmi vendor të monitorimit apo llogaridhënies, ndërsa veprimtaria e tyre, sipas tij, ka prodhuar perceptim të mungesës së barazisë para ligjit. Qelaj vë në dukje se të gjithë të akuzuarit deri më tani janë të përkatësisë së njëjtë etnike, gjë që ngre dyshime serioze për zbatimin selektiv dhe monoetnik të juridiksionit, pa sqarime të mjaftueshme për publikun vendor dhe ndërkombëtar.

Avokati i Popullit shpreh gjithashtu shqetësim të thellë për çekuilibrin procedural në proceset gjyqësore, duke theksuar se gjykata ka refuzuar pothuajse të gjitha kërkesat procedurale dhe provuese të mbrojtjes. Sipas tij, një praktikë e tillë është jashtëzakonisht e pazakontë dhe rrezikon të minojë besueshmërinë e gjykimeve dhe parimin e gjykimit të drejtë.

Një kapitull i veçantë i letrës të cilën e ka siguruar Kanal 10, i kushtohet paraburgimit, ku Avokati i Popullit e cilëson praktikën e paraburgimit të zgjatur dhe të pandërprerë për të gjithë të akuzuarit si problematike dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare. Ai thekson se vlerësimi i rrezikut të ikjes si “i lartë” në mënyrë uniforme nuk është i arsyetuar bindshëm, sidomos duke pasur parasysh se të gjithë të akuzuarit janë vetëdorëzuar dhe nuk ka prova konkrete për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve.

Në përfundim, Avokati i Popullit thekson se kjo letër paraqet një nismë monitoruese në frymën e përgjegjësisë institucionale dhe angazhimit konstruktiv, me synim mbrojtjen e të drejtave themelore dhe garantimin e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm.

Ndryshe, Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Të katërtit janë arrestuar në vitin 2020 dhe janë duke u mbajtur në paraburgim në Hagë, ndërsa kanë deklaruar vazhdimisht se janë të pafajshëm.

Të ngjashme