Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka ofruar dorëheqjen e tij si i pari i partisë, por ka thënë se i mbetet Kuvendit të LDK-së të vendosë, raporton Ekonomia Online.
Abdixhiku bëri të ditur se LDK-ja ka vendosur të thërrasë fillimisht Kryesinë dhe më pas Kuvendin e partisë, duke theksuar se do ta marrë përgjegjësinë politike përmes dorëheqjes së ofruar para Kuvendit të LDK-së, i cili më pas do të vendosë për hapat e radhës.
“Siç ju kam njoftu në datën 28 dhjetor 2025, edhe sonte ju njoftoj se kemi vendosur të thërrasim fillimisht Kryesinë dhe më pas Kuvendin e LDK-së. E kam obligim moral të marrë përgjegjësinë dhe, nëpërmjet ofrimit të dorëheqjes te Kuvendi i LDK-së, të lë që pastaj të vendosë Kuvendi. Deri atëherë, secili ka të drejtë të shtrojë kandidaturën. Ky ishte takim joformal i kryetarit të LDK-së me bashkëpunëtorët e LDK-së. Takimi formal do të ndodhë javën e ardhshme”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku bëri të ditur se nëse LDK nuk e pranon dorëheqjen e tij, ai detyrohet të qëndrojë në pozitën e kryetarit.
“Nëse Kuvendi i LDK-së nuk e pranon dorëheqjen, të detyron me qëndru në pozitën e kryetarit dhe ta kërkon një gjë të tillë. Është papërgjegjësi t’i shmangesh besimit të anëtarësisë. Kjo është çështje e Kuvendit, jo e imja. Unë e kam për obligim të shtoj dorëheqjen dhe të hapi rrugë për të tjerë që dëshirojnë ta shtrojnë ndonjë platformë tjetër”, tha Abdixhiku.
Pas një mbledhjeje që zgjati mbi pesë orë me drejtuesit kryesorë të partisë, Abdixhiku doli me një deklaratë pas rezultatit të LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
