Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka pritur në zyrat e partisë përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.
Abdixhiku njoftoi se u diskutua për situatën aktuale politike në vend dhe për proceset ndërkombëtare që e presin Kosovën.
“Sot prita në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen. Biseduam për situatën aktuale politike në vend dhe për proceset ndërkombëtare që e presin Kosovën. Theksova rëndësinë e stabilitetit institucional dhe konsolidimit demokratik në vend, si parakushte për funksionimin normal të institucioneve, për besimin e qytetarëve te shteti, për zhvillimin ekonomik, për tërheqjen e investimeve dhe për ruajtjen e kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës. Në përmbyllje të takimit, shpreha pritjen që Bashkimi Evropian të vazhdojë angazhimin dhe mbështetjen për Kosovën, si në proceset e përgjithshme politike, ashtu edhe në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian dhe forcimit të perspektivës euroatlantike të vendit”, ka shkruar Abdixhiku.

