Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova është e gatshme të ecë drejt kapitullit të radhës në procesin e integrimit evropian, duke synuar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka bërë të ditur se këtë qëndrim e ka theksuar gjatë një takimi me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Peter Sørensen.
“Kosova është gati për kapitullin e radhës – statusin e vendit kandidat në BE”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka theksuar se dialogu me Serbinë duhet të jetë i fokusuar në njohjen reciproke dhe trajtimin e barabartë të palëve.
“Në takim me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Peter Sørensen, theksova se dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke, si dhe në trajtimin e barabartë të palëve”, ka deklaruar presidentja.
Osmani ka nënvizuar gjithashtu shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjeve nga Serbia. “Po ashtu nënvizova shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjeve nga Serbia”, ka shtuar ajo.
Sipas saj, largimi i masave ndaj Kosovës krijon hapësirë për hapa të rinj drejt integrimit evropian.
“Tani që u larguan masat e padrejta, do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë evropianë për të ecur me vendosmëri drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, shtoi ajo.