Pas homazheve në Kompleksin Memorial në Reçak, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime u mbajt akademi përkujtimore me rastin e 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut.
Kryeministri Albin Kurti theksoi se liria dhe shteti i Kosovës janë ndërtuar mbi sakrificën e martirëve, dëshmorëve dhe luftën e UÇK-së.
Ai nënvizoi rëndësinë e Reçakut në drejtësinë ndërkombëtare dhe rolin e masakrës në ndërgjegjësimin global që çoi në ndërhyrjen e NATO-s, duke falënderuar miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Me mirënjohje të thellë, sot e gjithmonë, u jemi falënderues edhe të gjithë miqve e partnerëve ndërkombëtarë, që qëndruan në anën e së vërtetës në ato ditë të errëta për Kosovën. Masakra e Reçakut e zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare dhe çoi te ndërhyrja e NATO-s. Mbështetja dhe veprimi i bashkësisë ndërkombëtare mbeten pjesë e pandashme e historisë së shtetndërtimit të Kosovës së bashku me luftën e lavdishme të UÇK-së”, tha kryeministri.
Për ambasadorin William Walker, që ishte i pranishëm, kryeministri tha se ai ka një vend të rëndësishëm në historinë moderne të Republikës së Kosovës dhe, mbi të gjitha, një vend të veçantë në zemrat tona. “Në një periudhë kur e vërteta për Kosovën shpesh anashkalohej ose zbehej në diskursin ndërkombëtar, ju e artikuluat qartë dhe me përgjegjësi realitetin e krimeve të kryera nga Serbia. Këtë dëshmi e keni lënë trashëgimi përmes librit të kujtimeve, përmbledhur nën titullin “Reçak: Historia e një krimi lufte”, për çfarë ju përgëzoj edhe njëherë”, u shpreh më tej.