Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar se nga dita e nesërme fillon zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, duke sqaruar se procesi do të zhvillohet në faza.
Sipas tij, në fazën e parë të zbatimit, vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me materiale informuese lidhur me procedurat dhe rregullat specifike që parashihen me këto ligje.
“Në fazën e parë të zbatimit, vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me material informues rreth procedurave dhe rregullave specifike”, ka shkruar Bislimi.
Ai ka bërë të ditur se kjo periudhë informuese do të zgjasë deri më 15 mars, ndërsa pas kësaj date do të nisë zbatimi i plotë i procedurave dhe rregullave të përcaktuara me ligjet përkatëse.
“Pas kësaj fillon zbatimi i plotë i procedurave dhe rregullave që parashihen me ligjet e lartpërmendura”, ka theksuar ai.
Në njoftimin e tij, Bislimi ka shtuar se Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se kjo periudhë e zbatimit afirmativ duhet të shfrytëzohet maksimalisht për procese të tjera të rëndësishme.
“Kjo periudhë duhet të përdoret maksimalisht për të filluar me procesin e integrimit përmbajtësor të sistemit shëndetësor dhe atij të arsimit në gjithë territorin e vendit”, ka deklaruar Bislimi.