Hoti: LDK-së i duhet lidership i ri

Prishtinë | 15 Jan 2026 | 20:16 | Nga Ekonomia Online

Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se partisë së tij i duhet lidership i ri pas dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në një shkrim në Facebook, Hoti ka bërë thirrje që të mos ketë devijim nga statuti i LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri. Tek ka thënë se koha është që LDK-ja të ketë unitet dhe reflektim të rrugës përpara, Hoti ka thënë se sipas statutit të LDK-së kur kryetari dorëhiqet Kuvendi thirret vetëm për t’u njoftuar dhe për ta zgjedhur kryetarin e ri.

“Statuti i LDK-së është i qartë. Në rast dorëheqjeje të Kryetarit të LDK-së, Kuvendi i LDK-së thirret për t’u njoftuar zyrtarisht për këtë dorëheqje. Pas këtij akti të njoftimit, Kuvendi e zgjedh Kryetarin e ri të LDK-së. Kaq. Kështu ka ndodhur në vitin 2021. Çdo devijim nga kjo procedurë statutare është tendencë për ta shtyrë, relativizuar ose deformuar përgjegjësinë politike të lidershipit të LDK-së. Standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021. Ky standard është përqafuar dhe promovuar me këmbëngulje nga vetë z. Abdixhiku. Prandaj, çdo përpjekje për ta shmangur sot këtë standard është në kundërshtim të hapur me parimet që vetë lidershipi aktual i ka shpallur si vlera udhëheqëse”, ka shkruar Hoti.

Pas zgjedhjeve në të cilat LDK-ja mori vetëm 13 për qind të votave, sipas Hotit, askush s’mund ta mohojë se partia ka nevojë për lidership të ri.

“Pas rezultatit tejet të dobët të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, askush nuk mund ta mohojë se LDK-së i nevojitet lidership i ri dhe, më pas, riorganizim në të gjitha nivelet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës. Besimi i qytetarëve në LDK është dëmtuar dhe ai nuk mund të rikthehet pa një akt të qartë përgjegjësie dhe pa një proces të sinqertë reformimi”, ka thënë tutje ai.

Hoti ka shtuar se në takimin konsultativ të udhëheqësve të partisë para dy ditësh e ka bërë të qartë që nëse lidershipi s’merr përgjegjësi dhe s’hap rrugë për reformë, ai do të dorëhiqet.

“Ky nuk është akt emocional, por një qëndrim politik parimor në mbrojtje të statutit, standardeve dhe identitetit politik të LDK-së. Të gjithë ne që kemi përgjegjësi politike para elektoratit të LDK-së kemi për obligim të sigurojmë një proces gjithëpërfshirës, transparent dhe statutar të zgjedhjes së lidershipit të ri të LDK-së. Secili nga ne, përfshirë anëtarët e Kryesisë, të Këshillit të Përgjithshëm, kryetarët e degëve dhe delegatët e Kuvendit të LDK-së, kemi përgjegjësi për t’i dhënë LDK-së drejtimin e duhur”, ka thënë në fund Hoti.

Një ditë më parë, nga posti i nënkryetares së partisë u dorëhoq Hykmete Bajrami. Ajo kërkoi dorëheqjen edhe të kryetarit Lumir Abdixhiku, i cili para dy ditësh ka thënë se e ka ofruar dorëheqjen dhe se tani pranimi i saj është në duart e delegatëve të LDK-së.

Të ngjashme