“Ju grekët nuk jeni trashëgimtarë të Aristotelit”, Rama i përgjigjet kritikave

Prishtinë | 16 Jan 2026 | 15:34 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Edi Rama tha se kishte mbetur i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë dhe ndonjë “politikani të lodhur grek” siç e quajti ai, për batutat me gazetarin John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dabi.

“Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh!  Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian;  që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua  një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë!”, shkroi Rama në X.

“U kuptuam? Shpresoj po. Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit!”

Çfarë tha Rama?

Që në nisje të bisedës, Rama korrigjoi gazetarin i cili i keqshqiptoi mbiemrin, duke i thënë: “Ju jeni grek prandaj na i keqshqiptoni mbiemrat?”. Më pas gjatë bisedës, teksa po fliste për ministrin e Industrisë dhe Teknologjisë së Avancuar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sultan Al Jaber, Rama iu drejtua gazetarit: “Nuk e di në qoftë se e keni dëgjuar apo? Nuk jam i sigurt. Si grek duhet ta njohësh më mirë. Nuk e di sa më shumë mund ta njohësh, sepse prireni t’i nëvlerësoni pak njerëzit. Mendoni se keni monopolin e filozofisë dhe jeni trashëgimtarë të Platonit e të Aristotelit. Po nuk jeni”.

Të ngjashme