Aktakuzë për krime lufte ndaj gardianes në burgun e Lipjanit

Prishtinë | 16 Jan 2026 | 15:44 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, ndaj N.C., gardiane në burgun e Lipjanit në kohën e luftës. 

Sipas njoftimit të Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura gjatë periudhës 1998-1999, në cilësinë e personit zyrtar-gardiane në Burgun e Prishtinës, paralelja për gra në Lipjan, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgut, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës.

“Sipas aktakuzës, N.C., gjatë gjithë kësaj periudhe, në mënyrë sistematike, i ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare, duke i kanosur për jetë dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme, si shkop gome, shqelma dhe grushte, deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. 

Si pasojë e këtyre rrahjeve, viktimat thuhet se kanë pësuar dhunë psikike, gjendje ankthi dhe frike, dhe u është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor.

Rasti i ka kaluar për shqyrtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Të ngjashme