IPK verifikon pretendimet për keqtrajtim në Leposaviq, ankuesi nën hetim për kallëzim të rremë

Prishtinë | 16 Jan 2026 | 16:12 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka përfunduar hetimet lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga zyrtarë të Policisë së Kosovës në Leposaviq, duke konstatuar se këto pretendime nuk janë mbështetur nga provat e siguruara. Si rezultat, ndaj ankuesit është iniciuar rast dhe hetim penal për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë”.

Sipas komunikatës së IPK-së, para mesnatës së 13 janarit 2026, hetuesit janë njoftuar nga Policia e Kosovës për një person i cili kishte deklaruar se ishte keqtrajtuar nga zyrtarë policorë gjatë një ndalese në pikë kontrolli te Ura e Bistricës në Leposaviq, rreth orës 22:00.

“Ankuesi ka deklaruar se ishte ndaluar nga zyrtarë të Policisë së Kosovës derisa po drejtonte një automjet të markës Audi A4, me targa të Republikës së Serbisë, në të cilin ndodheshin edhe dy pasagjerë,” thuhet në njoftimin e IPK-së.

Pas pranimit të informacionit, IPK ka nisur menjëherë veprimet hetimore, në koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë. Ankuesi është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, në prani të avokatit të tij mbrojtës.

Gjatë intervistimit, ankuesi ka pretenduar se “gjatë kontrollit nga zyrtarët policorë ishte keqtrajtuar dhe goditur”, duke shtuar se si pasojë kishte pësuar lëndime në qafë, bërrylin e majtë, dorën e djathtë dhe në këmbë, për çka kishte kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë-Veri. Ai gjithashtu ka pretenduar se “njëri nga zyrtarët policorë e kishte goditur shokun e tij me kondak të armës së gjatë në këmbë”.

Në kuadër të verifikimit të këtyre pretendimeve, IPK ka siguruar prova materiale, përfshirë edhe video-incizime nga kamerat e sigurisë që mbulojnë zonën ku kishte ndodhur ndalesa policore.

“Pas analizimit të provave dhe video-incizimeve, është vërtetuar se të njëjtat nuk pasqyrojnë pretendimet e ankuesit dhe se zyrtarët policorë nuk kanë tejkaluar autorizimet e tyre, as nuk kanë përdorur forcë,” thekson IPK.

Bazuar në këto gjetje, hetuesit kanë konstatuar se pretendimet e ankuesit janë të sajuara. Rasti është proceduar te Prokuroria Themelore në Mitrovicë, e cila ka kërkuar që ndaj ankuesit, tani i dyshuar, të iniciohet rast dhe hetim penal për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë”.

Të ngjashme