IKD rendit prioritetet urgjente të Kuvendit dhe Qeverisë së re pas certifikimit të zgjedhjeve

Prishtinë | 18 Jan 2026 | 08:30 | Nga Gzim Mujaj

Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, i ka numrat e nevojshëm për të konstituuar shpejt Kuvendin dhe për të formuar Qeverinë pa pasur nevojë për partitë shqiptare, duke kërkuar që presidentja të thërrasë pa vonesa seancën konstituive sapo të certifikohen rezultatet, për të shmangur pasojat që Kosova i ka përjetuar nga mosfunksionalizimi i institucioneve gjatë vitit të kaluar, raporton Ekonomia Online.

Jakaj në një intervistë për Ekonomia Online, ka theksuar se prioritetet e para të Kuvendit pas konstituimit duhet të jenë miratimi i Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin aktual, miratimi i dy marrëveshjeve ndërkombëtare që vijnë nga procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian, një marrëveshje me Bankën Botërore, si dhe buxheti për RTK-në dhe për katër komunat në nivel vendi, duke nënvizuar se këto çështje janë thelbësore për funksionimin normal të shtetit.

“Siç dihet, LVV-ja ka dalë e para në këto zgjedhje me rezultat bindës, që asaj i mundëson që ta konstituojë Kuvendin shumë shpejt e po ashtu ta formojë qeverinë pa ndonjë problem të madh, për arsye se nuk do t’i duhet ndonjë parti nga partitë shqiptare për ta formuar qeverinë. Rrjedhimisht, certifikimi i rezultatit zgjedhor, kurdo qoftë që të jetë ai, presidentja do të duhej që të aktivizohej menjëherë në mënyrë që të thërrasë seancën konstituive pa vonesa të theksuara, për faktin se dihet fituesi, dihet që e ka shumicën e nevojshme dhe vendi është duke kaluar nëpër disa pasoja për shkak të moskonstituimit të Kuvendit shpejt vitin e kaluar dhe formimit të një qeverie legjitime dhe legale. Për këtë arsye, Kuvendi i konstituuar shumë shpejt, qeveri e formuar shumë shpejt, në mënyrë që disa prioritete të realizohen sa më shpejt”, tha Jakaj.

Ai ka shtuar se një prioritet tjetër i rëndësishëm është zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për pagat në sektorin publik, duke bërë të ditur se aktualisht punëtorëve të sektorit publik po u zbriten nga pagat shuma që shkojnë nga 25 deri në 55 euro për shkak të moszbatimit të këtij aktgjykimi.

“Prioritet tjetër që do të duhej të jetë është edhe zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për ligjin për pagat në sektorin publik, në mënyrë që të kthehen të drejtat te 94 mijë zyrtarë publikë, sepse me ligjin për pagën në sektorin publik në vitin 2023, kur është miratuar, janë cenuar të drejtat e këtyre punëtorëve. Aktualisht, në 25 euro në minimum dhe në maksimum ndoshta 55 euro, secilit punëtor në sektorin publik janë duke iu zbritur nga paga për shkak të moszbatimit të këtij aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Në aspektin e reformës në drejtësi, Jakaj ka theksuar se shumica parlamentare duhet të dialogojë edhe me komunitetet jo shumicë për të siguruar miratimin e vetingut dhe legjislacionit përkatës.

“Ka disa çështje që lidhen me reformën e drejtësisë, veçanërisht me vetingun, ku partia e parë, shumica parlamentare, do të duhej që të dialogojë me gjithë pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë, përfshirë ata serbë, në mënyrë që vetingu të kalojë dhe të miratohet legjislacioni tjetër, që të bëhet vlerësimi i sistemit prokurorial dhe gjyqësor sipas amendamentit kushtetues. Sepse edhe vetingun edhe reformën në drejtësi, përveç zotimeve kombëtare, ne edhe në nivel ndërkombëtar kemi marrë zotime që do t’i kalojmë”, tha ai.

Ai ka vënë theksin edhe në agjendën evropiane, veçanërisht në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke thënë se Kuvendi dhe qeveria duhet të jenë aktivë para majit, kur përpilohet rendi i ditës i Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate, si dhe të themelohet sa më shpejt delegacioni i Kosovës në nivel të Kuvendit për të nisur lobimin për anëtarësim.

“Një aspekt tjetër që lidhet me prioritetet e Kuvendit është edhe agjenda evropiane, veçanërisht ajo që lidhet me pranimin në Këshillin e Evropës, kur dihet se në maj të këtij viti do të përpilohet rendi i ditës për Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe për këtë çështje do të duhej edhe Kuvendi edhe qeveria që të jenë aktivë. Ju jeni në dijeni se delegacioni i Kosovës, që është në nivel të Kuvendit të Kosovës si delegacion, si anëtar vëzhgues, do të duhej që të themelohej edhe ai sa më parë, në mënyrë që të nisë puna sa më shpejt. Këtë përgjegjësi e ka Kryesia e Kuvendit, që duhet sa më parë ta themelojë, në mënyrë që t’i bëjë përgatitjet e duhura që të lobojë që Kosova të jetë sa më parë anëtare e Këshillit të Evropës”, tha ai.

Duke folur për sfidat që e presin legjislaturën e re, Jakaj ka paralajmëruar se do të ketë vështirësi për shkak të grumbullimit të punëve nga një vit pa institucione funksionale, duke theksuar se Kuvendi duhet të planifikojë punën sipas Rregullores dhe të veprojë me urgjencë, por pa anashkaluar konsultimet me shoqërinë civile dhe publikun.

“Do të ketë probleme ende, sepse vërehet që nuk do të mund që Kuvendi ta bëjë punën e planifikuar në mënyrë të duhur, për shkak se ne kemi qenë një vit pa Kuvend, një vit pa qeveri legjitime dhe legale. Dhe kjo ka bërë që të grumbullohet shumë punë dhe për këtë çështje, siç e thashë edhe më herët, do të duhej që Kuvendi t’i prioritizojë disa çështje me urgjencë, siç i përmenda më herët. Normalisht që ky miratim i ligjeve të veçanta të mos përcillet me mungesë të konsultimeve edhe të përfshirjes së aktorëve të shoqërisë civile edhe publikut, por që efikasiteti të lidhet edhe me këto tipare të qeverisjes së mirë. Pra, do të duhej që Kuvendi ta bëjë planifikimin, ashtu siç e ka edhe obligim me Rregulloren e Kuvendit që për sesion të bëjë planifikim, por do të duhej që edhe shumica parlamentare, në këtë rast LVV-ja, të jetë më solide se sa ka qenë në legjislaturën e kaluar, pra të mos jetë arrogante dhe të shfrytëzojë çdo mekanizëm parlamentar që të përfshihet edhe opozita, por jo që ligjet t’i miratojë me shumicën që tashmë e ka mbërri”.

“Sepse ajo është e ditur që ka shumicën, por kësaj partie, Kosovës, qeverisë do t’i duhen edhe votat e deputetëve opozitarë kur vjen koha tek marrëveshjet ndërkombëtare. Edhe opozita nuk do të duhej ta kushtëzojë me ndonjë ligj që vjen nga qeveria kur nevojitet shumica e nevojshme, por kjo gjë nuk do të duhej edhe anasjelltas nga pushteti, ta shfrytëzojë si arrogancë që për marrëveshje ndërkombëtare ta përdorë si mjet publik për, në thonjëza, shantazh që opozita nuk po bashkëpunon për marrëveshjet të cilat janë në interes edhe të qytetarëve që ata i kanë votuar”, tha ai.

Të ngjashme