Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar ndaj deklaratës dhe propozimit publik të Kryeministrit Edi Rama për mbylljen e Radio Televizionit Publik Shqiptar (RTSH), duke e cilësuar këtë qëndrim si tronditës për komunitetin e medias në vend.
Në një postim në Facebook, UGSH bën të ditur se është “tronditur nga fjala dhe propozimi publik i Kryeministrit Edi Rama për mbylljen e Radio Televizionit Publik Shqiptar, për shkak të reformimit të tij”, deklaratë që, sipas Unionit, është bërë gjatë një mbledhjeje partiake të Grupit Parlamentar të PS-së.
UGSH njofton se ditën e hënë, më 19.01.2026, do të dalë me një qëndrim zyrtar ndaj këtij projekti apo propozimi, duke theksuar se është kategorikisht kundër mbylljes së medias publike në Republikën e Shqipërisë.
“UGSH do të dalë me qëndrim zyrtar ndaj projektit apo propozimit të Kryeministrit, duke qenë kategorikisht kundër mbylljes së medias publike”, thuhet në reagim.
Në të njëjtin postim, UGSH ka publikuar edhe një peticion të punonjësve të RTSH-së, përmes të cilit kërkohet autonomi reale dhe zgjedhje të lira në këtë institucion. Në peticion theksohet se RTSH, ndonëse sipas ligjit është organ publik i pavarur, në praktikë për më shumë se 30 vite ka qenë subjekt i ndërhyrjeve të vazhdueshme politike.
“RTSH, sipas Statutit dhe ligjit, është organ publik i pavarur. Në praktikë, për më shumë se 30 vite, ky institucion ka qenë subjekt i ndërhyrjeve të vazhdueshme politike”, thuhet në dokument.
Sipas nënshkruesve, modeli aktual i emërimeve politike ka prodhuar një RTSH “as të pavarur, as konkurrues, as profesional”, duke u përdorur shpesh si instrument politik. Ata theksojnë se, kur sistemi dështon, përgjegjësia u hidhet padrejtësisht punonjësve, gazetarëve dhe stafit teknik, të cilët “punojnë në kushte të vështira, pa siguri profesionale dhe nën presion të vazhdueshëm”.
Në peticion paraqiten edhe shembuj konkretë, ku pozicione kyçe drejtuese janë mbushur “pa kritere profesionale, pa eksperiencë mediatike dhe vetëm përmes vendimeve politike”, duke dëmtuar cilësinë e prodhimit televiziv dhe besimin publik.
Punonjësit e RTSH-së, profesionistët e medias dhe qytetarët nënshkrues kërkojnë zgjedhje të lira dhe transparente për organet drejtuese, largimin e politikës nga emërimet direkte, autonomi editoriale dhe menaxheriale reale, meritokraci, llogaridhënie publike dhe mbrojtje institucionale për punonjësit që refuzojnë censurën dhe presionin politik.
“Nënshkruesit theksojnë se ky peticion nuk është kundër individëve, por kundër një modeli të dështuar që e ka mbajtur RTSH-në në letargji për dekada”, duke shtuar se RTSH duhet të shndërrohet në një media publike europiane, të pavarur dhe në shërbim të qytetarëve.