Çështja e Grenlandës dhe paralajmërimi i Trump për tarifa shtesë, Macron: Asnjë kërcënim nuk do të na ndikojë

Prishtinë | 17 Jan 2026 | 20:36 | Nga Ekonomia Online

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se Franca mbetet e përkushtuar ndaj “sovranitetit dhe pavarësisë së Kombeve”, ndërsa ka shprehur mbështetjen e tij për Grenlandën dhe Danimarkën.

Duke shkruar në X, Macron thotë se “asnjë frikësim dhe as kërcënim nuk do të na ndikojë”, ndërsa i përshkruan kërcënimet e tarifave të Trump si “të papranueshme”.

“Evropianët do t’u përgjigjen atyre në një mënyrë të bashkuar dhe të koordinuar nëse ato do të konfirmohen”, thotë ai.

“Ne do të sigurohemi që sovraniteti evropian të respektohet”, shkroi Macron.

Donald Trump ka thënë se do të vendosë tarifa prej 10% ndaj vendeve të NATO-s – përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë – të cilat kanë dislokuar trupa në Grenlandë mes kërcënimeve të SHBA-së për të marrë kontrollin e ishullit Arktik.

Në një postim të gjatë në Truth Social, ai tha se “Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda kanë udhëtuar drejt Grenlandës për qëllime të panjohura”, duke shtuar: “Kjo është një situatë shumë e rrezikshme për sigurinë, mbrojtjen dhe mbijetesën e planetit tonë.”

Presidenti amerikan tha se tarifat prej 10% do të vendosen mbi të gjitha mallrat që këto vende eksportojnë në Shtetet e Bashkuara duke filluar nga 1 shkurti, pasuar nga një normë prej 25% nga 1 qershori.

Të ngjashme