Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar lidhur me procesin e rinumërimit të votave, duke thënë se po e përcjell me vëmendje të shtuar gjithë procesin dhe mospërputhjet e evidentuara në disa komuna të Kosovës.
Në komunikatën e saj, PDK thekson se çdo indikacion për cenim apo manipulim të votës është i papranueshëm.
“Për ne si subjekt politik, indikacionet për cenim apo manipulim të votës janë të papranueshme. Vota e qytetarëve është e shenjtë dhe çdo trajtim jokorrekt ose përpjekje për manipulim shkel parimet demokratike që ne mbrojmë”, thuhet në reagim.
Më tej, PDK nënvizon se standardi i saj është i qartë dhe se çdo votë duhet të trajtohet me të njëjtin respekt gjatë gjithë procesit zgjedhor.
“Çdo votë duhet të trajtohet me të njëjtin respekt dhe kujdes, nga momenti i hedhjes deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve”, thekson komunikata.
Sipas PDK-së, eliminimi i çdo dyshimi rreth procesit zgjedhor është në interes të të gjitha palëve.
“Eliminimi i çdo dyshimi është në interes të kandidatëve, institucioneve dhe qytetarëve”, thuhet më tej.
Partia Demokratike e Kosovës bën të ditur se po pret konkluzionet zyrtare të organeve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“PDK i pret konkluzionet zyrtare të organeve përgjegjëse, me besimin se e vërteta dhe vullneti i qytetarëve do të reflektohen saktë dhe në përputhje me ligjin”, thuhet në komunikatë.