Ish-ambasadori Gjukiq:Vuçiq implikon ShBA-në dhe Izraelin në ngjarjet në Iran

Prishtinë | 19 Jan 2026 | 14:18 | Nga Ekonomia Online

Ish-ambasadori Srecko Gjukiq vlerësoi se presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, po e fut Serbinë në konflikte globale me deklaratën se në Iran po zhvillohet aktivitet i CIA-s dhe Mossad-it, gjë që Uashingtoni dhe Tel Avivi mund ta perceptojnë si mesazh politik.

 “Këto deklarata mund t’i shkaktojnë dëm politikës së jashtme të Serbisë. Ajo nuk është aktore në konfliktet e Lindjes së Mesme, as nuk ka interes të rreshtohet në interpretime që fajësojnë dy shërbimet më me ndikim të inteligjencës perëndimore”, tha Gjukiq në një intervistë për të përditshmen Nova.

Siç shtoi ai, “pretendime të tilla publike, objektivisht mund të kuptohen si një narrativë armiqësore ndaj SHBA-së dhe Izraelit, duke e futur kështu Serbinë në konflikte globale dhe luftëra të inteligjencës që e tejkalojnë atë në shumëfish”.

“Krahasimi me vitin 1953 dhe rrëzimin e (kryeministrit Muhamed) Mosadik në Iran është një kornizë klasike propagandistike e diskursit antiamerikan dhe antiperëndimor, e cila në Uashington dhe Tel Aviv mund të përjetohet si mesazh politik”, theksoi Gjukiq.

Ai paralajmëroi se “me deklarata të tilla komplikohet edhe më tej pozita e Serbisë dhe krijohet konfuzion në politikën e jashtme”.

Të ngjashme