Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se ka pasur një telefonatë “shumë të mirë” me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në lidhje me Grenlandën.
Trumpi ka thënë gjithashtu se kishte rënë dakord për takime me palë të ndryshme në Davos të Zvicrës, gjatë Forumit Ekonomik Botëror (WEF), ndërsa nuk ka specifikuar se cilat janë palët.
“Siç ua shpreha të gjithëve, shumë qartë, Grenlanda është e domosdoshme për Sigurinë Kombëtare dhe Botërore”, ka thënë Trumpi në një postim në Truth Social të martën.
“Nuk mund të ketë kthim prapa – Për këtë, të gjithë janë dakord”, ka shtuar ai.
Trumpi po ashtu ka thënë se Evropa s’mund të rezistojë gjatë lidhur me synimin e tij për ishullin më të madh në botë.
“Epo, nuk mendoj se do të kundërshtojnë shumë. Duhet ta kemi atë. Ata nuk mund ta mbrojnë Danimarkën. Janë njerëz të mrekullueshëm. Dhe e di që udhëheqësit janë njerëz shumë të mirë, por ata as nuk shkojnë atje. Dhe, për shkak se një varkë shkoi atje 500 vjet më parë dhe pastaj u largua, kjo nuk të jep titullin e pronësisë”, ka deklaruar Trumpi.
Ai u kishte thënë më parë gazetarëve se SHBA-ja do të fliste për blerjen e Grenlandës në WEF sepse Danimarka nuk mund ta mbronte territorin.