Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar rinumërimi, pas vendimit të KQZ-së, lidhur me dyshimet se ka pasur dallavere me votat e kandidatëve për deputetë.
Deri më tash, janë rinumëruar mbi 640 vendvotime, dhe gjithë procesi pritet të shkojë deri në 14 ditë, çka e shtynë dukshëm procesin, përfshirë edhe krijimin e institucioneve.
Së paku edhe dy javë kohë do t’i marrë procesi i rinumërimit të plotë të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, sipas Eugen Cakollit nga Demokracia në Veprim. E pas kësaj do të rrjedhin afatet e ankesave që në total mund të zgjasin deri në 13 ditë, sipas tij.
Sipas Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, palët kanë kohë 48 orë që në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të ankohen për administrimin e numërimit të votave.
Ky institucion, sipas ligjit, ka kohë 72 orë që të vendosë për ankesën e pranuar. E subjekti ankues ka edhe një mundësi tjetër ankese – në Gjykatën Supreme, e cila ka kohë pesë ditë për të vendosur mbi ankesat.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka paralajmëruar se vonesat në certifikimin e rezultateve zgjedhore mund ta çojnë Kosovën drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.
Kjo për shkak të rrezikut për moszgjedhjen e presidentit brenda afatit kushtetues.
Cakolli tha se nëse rezultatet nuk certifikohen me kohë dhe vendi mbetet pa Kuvend funksional dhe pa Qeveri, atëherë ekziston mundësia reale që të shpallen zgjedhje të reja.
“Rreziku është që të hyjmë në muajin shkurt ose mars pa pasur rezultate të certifikuara dhe kjo mund të na nxjerrë jashtë afatit për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë Cakolli në Tëvë1.
Ai theksoi se nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 5 mars, atëherë Kushtetuta e parasheh shpalljen automatike të zgjedhjeve të parakohshme, pavarësisht nëse Kuvendi është konstituuar apo nëse është zgjedhur Qeveria.