Shoqata e të Drejtave të Pacientëve reagon për rastin e Arianit Sllamnikut: Autizmi nuk është sëmundje që “shërohet”

Prishtinë | 20 Jan 2026 | 13:15 | Nga Ekonomia Online

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka reaguar në lidhje me pretendimet e konspiracionistit Arianit Sllamnikut për shërim të autizmit e cili raportohet se ka përdorur edhe disa metoda gjoja për shërim.

Një ndër to, sic raportohet në media dyshohet se për trajtim të fëmijëve ka sugjeruar përdorimin e substancave të destinuara për kafshë.

Reagimi i plotë:

REAGIM, lidhur me rastin e pretendimeve për “shërimin e autizmit” dhe rrezikimin e shëndetit të fëmijëve

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) shpreh shqetësim të thellë lidhur me raportimet e publikuara nga media për rastin në Gjilan, ku një individ dyshohet se ka ofruar “trajtime” për autizëm, përfshirë përdorimin e substancave të destinuara për kafshë, duke i paraqitur ato si terapi shëruese për fëmijë.

Ky rast nuk duhet trajtuar vetëm si një incident i izoluar apo si përgjegjësi individuale penale, por si një fenomen alarmant që nxjerr në pah dështime serioze sistemike në mbrojtjen e pacientëve, veçanërisht të fëmijëve dhe familjeve në situata të ndjeshme emocionale dhe sociale.

Së pari, ky fenomen lidhet drejtpërdrejt me mungesën e shërbimeve të mjaftueshme, të qasshme dhe të integruara për fëmijët me çrregullime të zhvillimit, përfshirë autizmin. Kur sistemi publik nuk ofron mbështetje të strukturuar, terapi të vazhdueshme, orientim profesional dhe informim të saktë, qytetarët mbesin të vetmuar dhe të dëshpëruar duke u bërë lehtësisht pre e pretendimeve të rreme dhe mashtruese.

Së dyti, kemi të bëjmë me mungesë të kontrollit efektiv institucional dhe mbikëqyrjes së praktikave pseudo-mjekësore, veçanërisht në hapësirat informale dhe online, ku individë pa licencë dhe pa përgjegjësi profesionale promovojnë “trajtime” të rrezikshme, pa u ndëshkuar në kohë.

Së treti, niveli i ulët i edukimit shëndetësor dhe informimit publik mbi çrregullimet e spektrit të autizmit krijon terren për dezinformim. Autizmi nuk është sëmundje që “shërohet”, por një gjendje që kërkon ndërhyrje multidisiplinare, mbështetje afatgjate dhe respektim të dinjitetit të fëmijës dhe familjes.

PRAK e mirëpret reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe konfirmimin e Policisë së Kosovës se rasti është duke u trajtuar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit. Këto hapa janë të domosdoshëm, por jo të mjaftueshëm nëse mbesin vetëm reagim pas faktit.

Shëndeti i fëmijëve nuk mbrohet vetëm me hetime pasi dëmi ka ndodhur, por me parandalim, rregullim dhe mbikëqyrje aktive.

PRAK kërkon që ky rast të shërbejë si pikë kthese dhe bën thirrje për:

– Veprim të shpejtë dhe transparent institucional, me informim publik për epilogun e rastit dhe masat e marra.

– Forcim të mekanizmave të inspektimit shëndetësor dhe ndërsektorial, për të identifikuar dhe ndaluar praktikat e rrezikshme pseudo-mjekësore.

– Zgjerim dhe strukturim të shërbimeve publike për fëmijët me autizëm, përfshirë diagnostikimin e hershëm, terapitë dhe mbështetjen për familjet.

– Fushata të vazhdueshme të edukimit shëndetësor, në bashkëpunim me organizatat e pacientëve dhe shoqërinë civile, për të luftuar dezinformimin.

– Vendosje të qartë të përgjegjësisë ligjore për çdo individ që mashtron dhe rrezikon shëndetin e fëmijëve nën petkun e “trajtimeve alternative”.

PRAK rithekson se e drejta për shëndet, siguri dhe trajtim të bazuar në shkencë është e panegociueshme, dhe se mbrojtja e pacientëve, veçanërisht e fëmijëve duhet të jetë prioritet real, jo vetëm deklarativ.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë mbetet e gatshme të kontribuojë për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen.

Të ngjashme