Mesfushori kosovar Valon Berisha shumë pranë transferimit në Bosnje

Prishtinë | 21 Jan 2026 | 17:33 | Nga Ekonomia Online

Valon Berisha është pranë largimit nga futbolli austriak dhe për herë të parë në karrierën e tij pritet të luajë në Bosnje dhe Hercegovinë. Klubi nga Sarajeva, Željezničar, ka avancuar ndjeshëm bisedimet për transferimin e mesfushorit kosovar.

Sipas burimeve të afërta me negociatat, të cituara nga Lorenzo Lepore, pas kontakteve pozitive verbale, drejtuesit e Željezničarit kanë dorëzuar edhe një ofertë zyrtare për Berishën, duke e bërë marrëveshjen gjithnjë e më konkrete.

Berisha aktualisht është pjesë e LASK-ut, me të cilin këtë sezon ka regjistruar 12 paraqitje në të gjitha garat. Kontrata e tij me klubin austriak përfundon pas pesë muajsh, faktor që lehtëson një transferim në afatin e ardhshëm.

Mesfushori 31-vjeçar, që aktivizohet kryesisht në krahun e majtë, ka një karrierë të pasur ndërkombëtare. I lindur në Malmö, ai ka nisur rrugëtimin profesional te Egersund dhe Viking, për t’u afirmuar më pas te Salzburgu. Në vitin 2018, Berisha u transferua te Lazio për 7.6 milionë euro, duke shënuar kulmin e karrierës së tij.

Tashmë, një sfidë e re në futbollin boshnjak duket gjithnjë e më afër për mesfushorin kosovar.

Të ngjashme