Prokuroria në Ferizaj autorizon veprime hetimore për dyshime për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë

Prishtinë | 22 Jan 2026 | 12:12 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për manipulim të votave për kandidatë në zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor.

Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria është duke monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore, në kuadër të kompetencave të saj ligjore si institucion i Prokurorit të Shtetit.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj ka autorizuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore që lidhen me dyshimet për manipulim të votave për kandidatë, me qëllim të sigurimit të provave relevante, identifikimit të personave përgjegjës dhe administrimit të të gjithë materialit zgjedhor në përputhje me ligjin”, thuhet në njoftim.

Prokuroria ka theksuar se veprat penale që cenojnë të drejtën e votës përbëjnë shkelje serioze të ligjit dhe do të trajtohen me përkushtim maksimal, pa asnjë kompromis.

Po ashtu, bëhet e ditur se Prokuroria Themelore në Ferizaj do të mbetet e angazhuar për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe do të hetojë çdo rast të dyshuar, me synimin e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.

Të ngjashme