Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk i kurseu sulmet dhe ironitë kundër opozitës, në fjalën e tij në Parlament e së enjtes, për të argumentuar miratimin e përfshirjes së Shqipërisë në Bordin e Paqes, të themeluar nga presidenti amerikan, Donald Trump, raporton Ekonomia Online.
“Ju fituat sepse me muaj me radhë thatë që Amerika do të më bënte mua gjyqin, e nderuar prej jush për t’ju kthyer ju në ato karrige ku nuk do të ktheheni kurrë, po s’dolët nga poshtë karriges ku qëndrojnë hijet e rënda të ndenjurat e stërgjyshit tuaj. Ju fituat, sepse e paralajmëruat popullin që mua do të më thërrisnit në Amerikë në datën 20 janar. Po ky ishte lapsus për t’u paraqitur në Prokurorinë Federale. Madje, ju e vulosët fitoren kur festuat kërrimin me forcë të Maduros nga shtëpia e tij në Karakas dhe u thatë shqiptarëve se ajo ishte vetëm një provë gjenerale e ushtrisë amerikane për rrëmbimin e Ramaduros nga ajo zyrë në Kryeministri, që e keni fiksim prej 12 vitesh dhe mblidheni si qindra Romeo të dëshpëruar për një Zhulietë të vetme. Tani, ju mund të mendoni se unë po tallem. Mund të tallen këta me ju. Unë me ju nuk tallem. Unë s’tallem kurrë me fitoret tuaja”, tha Rama.
Rama ua bëri të qartë atyre, se në Shtëpinë e Bardh do të ulet si anëtar i Bordit të Paqes.
Dhe sot ju do të votoni të vërtetën e madhe që unë nuk do ta detyroj ushtrinë amerikane t’i bashkohet protestës suaj nga tarraca e Kryeministrisë, se do të dorëzohem vetë, paqësisht, në duart e autoriteteve ligjzbatuese amerikane që do të vijnë në aeroport në Uashington, do të më marrin me eskortë, do të më çojnë në Shtëpinë e Bardhë për t’u ulur si anëtar i Bordit të Paqes. Pra, ka vetëm një nuancë në dështimin tuaj: ju prisnit të fitonit me helikopterët e ushtrisë amerikane dhe nuk e prisnit që unë do të dorëzohesha vetë. Vetëm kaq. Po kjo është fitorja juaj”, tha ai.
