Diplomohen 21 kadetët që përfunduan me sukses trajnimin profesional për zjarrfikës

Prishtinë | 22 Jan 2026 | 15:58 | Nga Ekonomia Online

21 kadetë që përfundua me sukses trajnimin profesional për zjarrfikës u diplomuan sot në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri. Ky trajnim ishte i ndarë në 9 module për 20 javë, e ku thuhet se u ofroi kadetëve mundësinë fitimit të njohurive të avancuara dhe aftësi konkrete për reagim të shpejtë dhe efikas në raste emergjencash, parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve, si dhe për ndërhyrje profesionale në mbrojtje të jetës njerëzore, pronës dhe mjedisit.

Në ceremoninë e diplomimit mori pjesë edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe Sekretari i Përgjithshëm Genc Metaj.

“Me rastin e përfundimit me sukses të këtij trajnimi, Ministri Sveçla falënderoi të gjithë instruktorët dhe trajnerët të cilët kanë ndarë dijen dhe përvojën e tyre duke kontribuar drejtpërdrejtë në formimin profesional të këtyre zjarrfikësve. Po ashtu, Ministri Sveçla falënderoi edhe partnerët tanë ndërkombëtar që kanë kontribuar në këtë projekt”, thuhet në komunikatën e MPB-së.

Më tej shtohet se “Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar që të vazhdojë investimet në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të shërbimit të zjarrfikësve duke investuar kështu drejtpërdrejtë edhe në sigurinë e vendit tonë dhe qytetarëve tanë”.

Të ngjashme